Transmetuar më 15-04-2026, 23:08

Argostol, Greqi, 15 prill 2026 Mediat greke kanë publikuar detaje të reja tronditëse mbi vdekjen e 19-vjeçares shqiptare Myrto, e cila u gjet e pajetë në një park në Kefaloni, ndërsa tre të rinj ndodhen tashmë nën arrest për ngjarjen.

Sipas materialeve hetimore dhe dëshmisë së njërit prej të ndaluarve, momentet para braktisjes së vajzës kanë qenë vendimtare për tragjedinë që pasoi.

Tentativa për fshehje dhe braktisje

Nga pamjet e kamerave të sigurisë dhe deklarimet e të arrestuarve, dyshohet se kur 19-vjeçarja u përkeqësua rëndë në një ambient hoteli, të rinjtë nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore, por kanë vendosur të fshehin gjurmët e ngjarjes.

Sipas hetimeve, ata kanë diskutuar mes tyre që të deklaronin më vonë se “e kishin gjetur në rrugë”, me qëllim shmangien e përgjegjësisë ligjore. Më pas, një prej tyre dyshohet se e ka transportuar vajzën pa ndjenja dhe e ka lënë në një shesh publik, ku më vonë u gjet nga ekipet e emergjencës.

Dëshmia e një të arrestuari

Në dëshminë e tij, një nga të ndaluarit ka deklaruar se ngjarja ka nisur pas përdorimit të lëndëve narkotike në një Airbnb dhe se substancat ishin siguruar përmes një personi të tretë.

Ai pretendon se 19-vjeçarja kishte kërkuar vetë përdorimin e kokainës, ndërsa situata më pas ka dalë jashtë kontrollit. Sipas tij, kur gjendja e saj u përkeqësua, dy prej të pranishmëve refuzuan të thërrisnin ambulancën nga frika e pasojave ligjore.

“Na thanë se do ta çonim poshtë dhe do të thoshim se e kishim gjetur në rrugë”, citohet të ketë deklaruar ai.

Hetimet dhe akuzat

Autoritetet greke kanë ngritur akuza të rënda ndaj tre të arrestuarve, përfshirë vrasje me dashje nëpërmjet mosveprimit, si dhe posedim dhe përdorim të lëndëve narkotike.

Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rolin e secilit prej të përfshirëve dhe rrethanat e sakta që çuan në vdekjen e 19-vjeçares shqiptare.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit