

Argostol, Greqi, 15 prill 2026 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin Kefaloni, ku një 19-vjeçare ka humbur jetën pas një incidenti të dyshuar të lidhur me përdorimin e lëndëve narkotike.
Sipas mediave greke, e reja, e identifikuar si Myrto, u gjet pa ndjenja në orët e para të mëngjesit në qendër të Argostolit. Ajo u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetojë.
Fillimisht u raportua se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë një atak në zemër, ndërsa autoritetet mjeko-ligjore pritet të përcaktojnë përfundimisht shkaqet përmes analizave toksikologjike.
Hetimet paraprake tregojnë se 19-vjeçarja kishte qenë më herët në një dhomë hoteli në shoqërinë e tre të rinjve, një 23-vjeçari, një 26-vjeçari dhe një 22-vjeçari shqiptar. Dyshohet se në ambientet e hotelit është konsumuar një sasi e madhe lëndësh narkotike, çka mund të ketë çuar në përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore.
Autoritetet greke kanë arrestuar tre të rinjtë, të cilët po përballen me akuza për vrasje nga pakujdesia. Hetuesit po analizojnë edhe pamje filmike nga kamerat e sigurisë, ku dyshohet se shihen të rinjtë duke dalë nga hoteli ndërsa vajza ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore.
Sipas hetimeve, pas ngjarjes të dyshuarit kanë braktisur viktimën dhe kanë tentuar të fshijnë gjurmët në dhomën e hotelit, përfshirë edhe telefonin e saj.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






