

Berisha për Salianjin: Unë sulmoja Ergys Agasin, ai drekonte me të! Përdori Suel Çelën për të kërcënuar demokratët Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj deputetit Ervin Salianji, duke e akuzuar për bashkëpunim me kundërshtarët politikë dhe për përfshirje në praktika presioni ndaj anëtarëve të partisë.
Gjatë një deklarate publike, Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet e hapur ndaj mendimit ndryshe, por bëri dallimin mes mendimit dhe qëndrimit politik.
“Sapo dikush bashkëpunon me kundërshtarin, ai nuk mund të jetë më pjesë e partisë,” u shpreh ai, duke shtuar se veprime të tilla përbëjnë shkelje të parimeve të forcës politike.
Në vijim, Berisha pretendoi se kishte denoncuar vazhdimisht figura të lidhura me qeverinë, ndërsa akuzoi Salianjin për marrëdhënie me Ergys Agasi. “Unë e sulmoja çdo ditë, ndërsa ai drekonte me të,” deklaroi Berisha.
Ai ngriti gjithashtu akuza të rënda për presion ndaj strukturave të partisë në Elbasan, duke pretenduar se është përdorur emri i Suel Çela për të kërcënuar demokratët.
“Nuk mund të përdorësh elementë të tillë për të rreshtuar anëtarët e partisë. Në atë moment, ai e ka përjashtuar veten nga Partia Demokratike,” u shpreh Berisha.
Në fjalën e tij, ai solli edhe raste të tjera që, sipas tij, dëshmojnë për qëndrime të papranueshme brenda partisë, duke përmendur angazhimin e disa anëtarëve në mbështetje të kandidatëve kundërshtarë gjatë zgjedhjeve.
Berisha përfundoi duke theksuar se, pavarësisht situatave të tilla, Partia Demokratike do të vijojë të qëndrojë e hapur dhe të bashkojë mbështetësit e saj, por pa toleruar, sipas tij, bashkëpunimin me kundërshtarët politikë.
Fjala e Berishës:
Tani thatë për PD, një gjë të garantoj, kjo parti që në themelimin e saj, e gjersa të jetë e gjallë, do jetë 100 përqind e hapur për mendimin ndryshe.
Pa asnjë diskutim.
Por, çdo njëri prej nesh duhet të dallojë mendimin ndryshe nga qëndrimi ndryshe.
Qëndrimi ndryshe pastaj është tjetër.
Në qoftë se ti në forumet e kësaj partie, shtron mendimin ndryshe, nuk do kesh pasojën më të vogël.
Por në qoftë se bashkëpunon me kundërshtarin, nuk do jesh kurrë pjesë e kësaj partie.
Pas zgjedhjeve, çdo ditë unë mbeta duke denoncuar farsën elektorale, por çdo ditë informojë demokratët se në analizë do bëjmë se analiza është e nevojshme.
Por në qoftë se ti del ditën para zgjedhjeve dhe bën thirrje që të votohet deputeti kundërshtar, ti besoj se je ndarë me këtë parti.
Ky është qëndrim, nuk është mendim ndryshe.
Në qoftë se ti ke mbajtur një post dhe ekspozohesh një javë rresht me deputeten kundërshtare, pastaj ke bërë zgjedhjen tënde.
Nuk mund të thuash se jam në struktura.
Në qoftë se brenda 4 orëve një televizion publikon për ty nga zyra e Edi Ramës 16 lajme, që nuk i bën një njeri në Europë e botë, ti pastaj ke marrë një rol të gabuar. Nuk është roli që të përket sepse është një keqpërdorim që i bën mafies së medieve Edi Rama për qëllimet e veta.
Absolutisht asnjë njeri nuk do ketë kurrë pasojë për mendimin ndryshe, por veprimi ndryshe është tjetër.
Çfarë duhet të kemi ne një gjë? Duhet të jemi të drejtë. Dhe të drejtë do jemi kur të respektojmë investimin që ti ke bërë në PD.
Po e shkelmove vetë, ajo është puna jote. Por ne nuk ia mohojmë investimin askujt.
Në tërësi ne kaluam një proces jo të lehtë. Anëtar kryesie e kishim ne atë, djalë i ri, e respektoja shumë.
Por rrethanat e sollën në mënyrë të tillë që nuk mund të ishte në listën e deputetëve. Dhe ai shkon e bëhet drejtor i hipotekës në Vlorë.
A ma priste mendja mua këtë? Jo. Ky është qëndrim pastaj.
Bëhet drejtor i hipotekës në Vlorë, e mbajtën dy muaj dhe e flakën.
Tjetri, vjen sekretar politik i degës në Durrës dhe punon për kandidatin tjetër. Për Ani Dyrmishin.
Tani këta janë pak. Janë fare pak, por janë për të qenë.
Këta janë 10-15, nuk janë më shumë.
Kurse zotëria tjetër, ai doli nga burgu, para se të dilte më erdhi në zyrë dhe më tthotë, do të marr një mendim. Urdhëro, i them unë. I kisha shkuar dhe në burg dhe mirë kam bërë që i kam shkuar.
Dhe unë me bindjen më të thellë, ai ishte i burgosur politik.
Më vjen e më thotë, për të dalë këto tre muaj që kanë ngelur nga burgu, më kërkojnë të firmos një dokument që nuk do vras Fatmir Xhafën.
Jo, i them unë, mos e firmos këtë se me këtë pranon fajësinë.
Megjithatë, ti vendose vetë.
Ky, pas një jave u lirua. U gëzova.
A e firmose, jo më tha, nuk firmosa gjë.
Pastaj, Ergys Agasin. Unë sulmoja Ergys Agasin çdo ditë si një nga figurat më të zeza, ai drekonte me të.
Nuk ka rëndësi prapë, drekimi mirë nuk është, por mëkat nuk është.
Dhe në momentin që doli raporti ndërkombëtar, ne bëjmë mbledhjen e kryesisë. Atë e kooptuam në kryesi për ta nderuar.
Mblidhet kryesia, tani them unë, duhet të hidhemi në aksion dhe jemi vonë.
Edhe ai dakord tha.
Në këtë kohë, ai del veças e thotë se duhet të hidhet në aksion PD.
Mirë. Dakord.
Pastaj, në Elbasan demokratët mesazhe mua, i kërcënonte Suel Çela.
Jo, pastaj këtu kjo nuk mund të ndodhë kurrë.
Nuk kam kurrë dëshirë të përmend asnjë emër krimineli, por nuk pajtohem kurrë me asnjë akt të tyre, as ordiner, as politik.
Nuk mund të përdorësh ti Suel Çelën për të rreshtuar demokratët pas vetes.
Kështu që në atë moment i kam thënë, tani e ke përjashtuar veten nga partia.
Ai tjetri, ai nënkryetari i Durrësit, mik e kisha atë. Gjithë fushatën ai nuk punoi një ditë, përkundrazi punoi për tjetrin se u inatos se nuk u fut në listë.
Po tani ti vërtet nuk u fute për deputet, por të kishim kryetar të këshilltarëve tanë për bashkinë e Durrësit, nuk është se nuk u përfille.
Dhe gjatë fushatës u telefononte të tjerëve që mos punoni.
Këto janë qëndrime, nuk janë mendime.
Ata që punuan dhe ata që punojnë, ata nuk u kanë borxh këtyre.
Dhe u siguroj se ne do bashkohemi edhe më shumë dhe do hapemi dhe jemi të hapur. Por me njerëz të shkelur, siç thotë populli, me të shkelur, të shkelurit të shkojnë me ata që i kanë shkelur.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






