

Berisha sulmon ashpër Ramën: Në atë karrige nuk është ulur kurrë një injorant më i madh: "E vërteta është se në atë karrige, që kur është themeluar shteti shqiptar, injorant më i madh se ai nuk është ulur askush"
Berat – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama gjatë një takimi me fermerët në Berat, duke e akuzuar për dështim në qeverisje dhe mashtrim ndaj qytetarëve, veçanërisht pensionistëve.
Në fjalën e tij, Berisha përdori tone të forta, duke deklaruar se Rama është më i paafti që ka drejtuar ndonjëherë vendin.
“E vërteta është se në atë karrige, që kur është themeluar shteti shqiptar, injorant më i madh se ai nuk është ulur kush,” u shpreh Berisha.
Ai e akuzoi kryeministrin se nuk ka asnjë vizion për ekonominë dhe se nuk arrin të japë zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve.
“Njeriu që nuk i pushon goja nga mëngjesi në darkë, nuk i dëgjoni një fjali shtetari. Ndiqeni të flasë për jetën tuaj ekonomike, nuk do dëgjoni asgjë,” tha ai.
Berisha u ndal veçanërisht te çështja e pensioneve, duke e cilësuar Ramën “mashtrues të pashpirt” dhe duke kritikuar bonusin e fundit për pensionistët.
“Për 690 mijë pensionistë, bonusi i shumëpritur doli 8 euro, dy kile domate sot. A ka tallje më të madhe?” deklaroi ai.
Sipas tij, shumica e pensionistëve nuk arrijnë të përballojnë as ilaçet dhe as ushqimet mujore, ndërsa qeveria, sipas tij, nuk merr masa reale për përmirësimin e situatës.
Ai theksoi se pensioni mesatar duhet të ishte të paktën 400 euro dhe krahasoi situatën në Shqipëri me vendet e rajonit, duke thënë se në vende si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia pensionet janë rritur ndjeshëm më shumë.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për keqmenaxhim ekonomik dhe rritje të çmimeve.
“Shqipëria është vendi i vetëm në rajon ku çmimet rriten shumë më tepër se rrogat,” u shpreh ai.
Në vijim, ai ngriti akuza edhe për korrupsion, duke përmendur raste konkrete që sipas tij tregojnë pabarazi të thellë.
“Pensionisti merr 8 euro në muaj, ndërsa baxhanaku i Ramës fiton tender 75 milionë euro për inteligjencën artificiale,” deklaroi Berisha.
Ai premtoi se Partia Demokratike ka një alternativë të qartë, duke përfshirë rritjen e pensioneve dhe vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh për çdo qytetar.
Në përfundim, Berisha theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë prioriteti kryesor i Partisë Demokratike, duke premtuar “zero tolerancë” në këtë drejtim.
Pjesa e plotë:
"Pensionet. Një mashtrues i pashpirt.
U thotë se duke e ditur që i ka lënë në situatë shumë të keqe, duke e ditur që me pensionin shumica e pensionistëve nuk blejnë dot ilaçet e muajit.
Shumica e tyre nuk mbyllin dot as për ushqime muajin, ky tani rri dhe thotë bonusi.
Do presin bonusin.
Sa doli bonusi miqtë e mi?
8 euro doli.
Për 690 mijë pensionistë, bonusi i shumëpritur doli 8 euro, dy kile domate sot.
A ka tallje më të madhe?
Prisni.
Dhe mashtron, thotë në vitin 2013, pensioni mesatar ishte 80 euro. E vërteta është se në atë karrige, që kur është themeluar shteti shqiptar, injorant më i madh se ai nuk është ulur kush.
Njeriu që nuk i pushon goja nga mëngjesi në darkë, nuk i dëgjoni një fjali shtetari.
Ndiqeni t’i dëgjoni një fjali për jetën tuaj ekonomike.
Jo, nuk ia dëgjoni dot.
Se e morët vesh pse?
Se i tha atij, ja faturën, do marrësh 10 përqindëshin. Ai i thoshte për naftën, ky ngatërronte TVSH-në me naftën.
Se ato koncepte ka.
Por, pensionistëve, bonusi, bonusi.
Çfarë mund të marrë pensionisti me 150 euro?
Pensionisti nuk merr dot ilaçet me 150 euro.
Në një kohë kur pensionisti duhet ta kishte sot pensionin më së paku 400 euro pensionin mesatar.
Pse u rritën pensionet në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoni, disa herë më shumë, kur ne ishim para tyre për pensionet?
Po ky me konceptet e vjetra, në të cilat në qoftë se u kujtohet, nuk rrisnin rrogat në socializëm, ajo nuk lëvizte, edhe ky mendoi se me atë mënyrë mund të ecte.
A e dini se sot me 100 euro, ato që blen ti me 100 euro, në vitin 2013, i blije me 50 euro?
Apo sot, ato që blen ti në Shqipëri me 134 euro, në Maqedoni e blen me 100 euro?
Pse ndodh kjo? Sepse Shqipëria është vendi i vetëm në rajon ku çmimet rriten shumë më tepër se rrogat.
Pra, Maqedonia, Kosova jo vetëm që e kanë pensionin 30-40 përqind më të lartë, por po ta kthejnë me fuqinë blerëse, del edhe nja 40 përqind të tjera më i lartë.
Po për këto nuk do t’ia dijë fare.
Ndaj dhe ne kemi përcaktuar së pari minimumin jetik për çdo shqiptar 200 euro.
Mbi këtë 200 euro do rritet pensioni minimal, do rritet pensioni mesatar, do rritet pensioni maksimal gjersa të dalim në krye të vendeve të rajonit, jo të Europës, për pensione dhe rroga.
Asnjë vend në rajon, absolutisht asnjëri, nuk ka pasuritë tona.
Ne jemi vendi më i pasur.
Nuk ka një vend të dytë me pasuritë e Shqipërisë.
Por ato duhet të shpërndahen.
Rritje ekonomike, thotë, rritja e tij ekonomike është kjo miq, pensionisti merr 8 euro, dy kile domate në muaj, kunati i bashkëshortes së tij, Armand Frangu fiton tenderin për inteligjencën artificiale 75 milionë euro, në një kohë kur Kina e bëri atë për 6 milionë euro.
Deepseek, kush e ka shkuar, ka kushtuar 6 milionë euro.
Ky nuk ekziston kund, por 75 milionë euro përfunduan në xhepat e tij.
Sigurisht ai u bë 30-40 përqind më i pasur, por pensionisti mori vetëm 8 euro, në një kohë kur çmimi i domateve u rrit nja 3 herë, çmimi i ilaçeve është rritur dy herë e kështu me radhë dhe ato 8 euro nuk i japin asnjë efekt.
Kjo merr fund.
Pra ne, për altoparlantët e tij, që nga mëngjesi gjer në darkë, për të mbuluar abuzimet e kësaj qeverie, thonë se PD nuk ka alternativë, unë u garantoj se ne kemi alternativn më të shkëlqyer.
Por lufta kundër korrupsionit do jetë drejtimi ynë më kryesor.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me zero tolerancë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






