

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të martë një bashkëbisedim me fermerët në qytetin e Beratit, ku ngriti shqetësime për gjendjen e sektorit bujqësor në vend.
Berisha tha se mungesa e subvencioneve, veçanërisht për naftën, po i çon fermerët drejt falimentimit. Ai pohoi se Shqipëria përbën një rast të veçantë negativ në krahasim me vendet e tjera.
“Nuk ka vend në botë që nuk subvencionon për naftën. Me çmimet aktuale, fermerët e kanë të pamundur të punojnë tokën me leverdi. Në vende si Gjermania, subvencionet për naftën janë rritur së fundmi për të mbështetur sektorin bujqësor dhe për të shmangur falimentimin e fermerëve,” u shpreh Berisha.
Ish kryeministri nënvizoi se fermerët përbëjnë rreth 38–39% të popullsisë dhe kontribuojnë me rreth 19% në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto (PPB), ndërkohë që, sipas tij, mbështetja financiare për ta mbetet minimale.
Berisha krahasoi nivelin e subvencioneve në Shqipëri me atë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke pohuar faktin se këto vende ofrojnë mbështetje disa herë më të lartë për fermerët.
Sipas tij, mungesa e politikave mbështetëse po sjell pasoja të drejtpërdrejta, si braktisja e tokave bujqësore, rritja e importeve dhe shtrenjtimi i produkteve ushqimore.
Duke u ndalur te nisma rajonale “Ballkani i Hapur”, Berisha argumentoi se fermerët shqiptarë gjenden në dizavantazh krahasuar me ata serbë, për shkak të nivelit më të ulët të subvencioneve. “Fermeri serb subvencionohet dhe, për rrjedhojë, ka përparësi në treg,” tha ai.
Gjithashtu, kreu i opozitës kritikoi mungesën e investimeve të huaja në vend, duke përmendur largimin e kompanive të mëdha dhe mungesën e projekteve të reja strategjike.
"Çfarë do të bëj sapo të rikthehem si kryeministër"
Berisha tha se me tu rikthyer ai si kryeministër do të realizohen ato që i cilësoi objektiva realë të Partisë Demokratike për sektorin bujqësor.
Ish kryeministri siguroi se subvencionet do të rriten pesëfish, duke arritur në 250 milionë euro, ndërsa fermerëve do t’u sigurohet naftë pa taksa.
Po ashtu, ai theksoi angazhimin për përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale, me synimin që standardet e jetesës në fshat të afrohen me ato të zonave urbane.
Berisha tha se kjo kohë fton çdo fermer për të larguar këtë qeveri dhe siguroi se "programin e paraqitur para jush do e zbatojmë pikë për pikë" dhe dha detaje të tjera:
– Ne do vendosim minimumin jetik dhe do rrisim pensionet derisa të dalim të parët në rajon
– Do të organizojmë rrjetin më të mirë të këshillimeve dhe konsultave për ju, për orientimin, sikundër projekti i Shqipërisë rurale do të vazhdojë gjer në kompletimin e plotë të infrastrukturës së vaditjes.
– Një përqendrim i madh do jetë, investimet si në infastrukturë lokale, por edhe në vaditje.
– Sistemi i vaditjes në Shqipëri është sistem i prapambetur. Investimi në këtë sistem është jetik. Ky sistem duhet të arrijë në standardet më të mira. Ne jemi vend i bekuar. Kemi edhe naftë, edhe ujë. Nga vendet e pakta. Pra, do bëjmë gjithçka të vazhdojmë investimet në Shqipërinë rurale edhe sado miliarda euro të duhen.
– Sistemi i kreditimit. Qeveria do paguajë 80 përqind të interesave për të gjithë fermerët e rinj. Do ketë grante për fermat që do të çelen, që do të nisin aktivitet. Qeveria do paguajë interesa për sigurimin e ushqimeve nga fatkqësitë natyrore apo mbiprodhimi.
– Ne kemi përcaktuar së pari minimumin jetik për çdo shqiptar 200 euro. Mbi këtë 200 euro do të rritet pensioni minimal, do rritet pensioni mesatar, do rritet pensioni maksimal gjersa të dalim në krye të vendeve të rajonit, jo të Europës, për pensione dhe rroga.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






