

Ndalohet importi i deleve, dhive nga Shqipëria, për shkak të shpërthimit të sëmundjes se murtajës se bagëtive të imta PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës
Autoritetet në Kosovë kanë bllokuar përkohësisht importin e bagëtive nga Shqipëria, pas konfirmimit të një rasti të murtajës së ruminantëve të vegjël (PPR) në territorin shqiptar.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi sot se vendosi masë ndalese të pakohshme, për import të ruminantëve të vegjël Dele dhe Dhi nga gjithë territori i Shqipërisë. Pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës. Thërrasim për vëmendje Komunat e Kosovës të brezit kufitar me Shqipërinë, përmes drejtorive të për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë. Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre, të shmangin çfarëdo kontakti me kopetë e fermerëve nga Shqipëria.
Autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe zonat e brezit kufitar me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Bazuar në situatë aktuale, fermerët është e rëndësishme të shtojnë kujdesin dhe të ndërmarrin veprimet si në vijim:
• Të shmangni lëvizjet e panevojshme të kafshëve nga një zonë në tjetrën
• Të raportoni menjëherë tek veterineri çdo shenjë të dyshimtë (ethe, rrjedhje nga hundët, dobësi, diarre)
• Të kufizoni kontaktin e tufave tuaja me kafshë tjera sidomos në zonat kufitare
• Të respektoni udhëzimet dhe këshillat e AUV-së.
• Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre
• Shtoni masat e biosigurisë në fermat tuaja.
PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet. Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje. Kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.
Në lidhje me situatën, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka reaguar duke konfirmuar se rasti është i izoluar dhe është evidentuar në një fermë në fshatin Okshatinë, Njësia Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë.
Sipas AKVMB, në fermën e prekur me rreth 220 krerë dhi, mostrat e marra janë analizuar nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit PPR.
Menjëherë pas konfirmimit, janë zbatuar masat emergjente të kontrollit të sëmundjes, duke përfshirë përcaktimin e zonave të sigurisë dhe mbikëqyrjes në një rreze 3 km dhe 10 km, si dhe karantinimin e plotë të fermës.
Autoritetet veterinare kanë kryer gjithashtu eliminimin dhe asgjësimin e të gjitha kafshëve të mbetura në fermën e infektuar, si dhe dezinfektimin e plotë të ambienteve dhe pajisjeve, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
AKVMB bën me dije se, nga monitorimet në zonat përreth, deri tani nuk janë evidentuar raste të tjera të dyshuara. Ndërkohë, strukturat veterinare vijojnë kontrollet dhe monitorimin intensiv të fermave në zonat e prekura.
Autoriteti u bën thirrje fermerëve të zbatojnë masa të rrepta biosigurie dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë të simptomave te shërbimet veterinare.
AKVMB sqaron se sëmundja nuk është e transmetueshme te njerëzit dhe nuk përbën rrezik për shëndetin publik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






