Transmetuar më 15-04-2026, 16:09

Tiranë, 15 Prill 2026 – Transporti publik urban dhe interurban në rrethe ka pësuar një reduktim të ndjeshëm gjatë ditës së sotme, duke arritur deri në 60% më pak mjete në qarkullim, ndërsa operatorët paralajmërojnë për pezullim të mundshëm të shërbimit nëse nuk ndërhyhet me masa mbështetëse.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, deklaroi për Monitor se reduktimi është evident në disa nga qytetet kryesore të vendit.

Sipas tij, në Durrës numri i autobusëve është ulur me 50%, në Vlorë dhe Berat me nga 60%, në Lushnjë me 50%, ndërsa në Peshkopi reduktimi arrin në 40%.

Ndërkohë, edhe transporti ndërqytetas me furgonë vijon me orare të kufizuara, për shkak të vështirësive financiare që sektori po përballet prej kohësh. Sipas përfaqësuesve të operatorëve, numri i pasagjerëve ka rënë deri në 50% ndër vite, një trend që është theksuar pas pandemisë së COVID-19.

Rritja e çmimit të naftës ka rënduar më tej situatën, duke vënë shumë operatorë në prag të ndërprerjes së aktivitetit. Memaj theksoi se pa një skemë kompensimi nga shteti, vijueshmëria e shërbimit mbetet e rrezikuar.

Që në orët e para të mëngjesit, në disa qytete të vendit janë krijuar vështirësi në lëvizjen e qytetarëve. Në Tiranë, nga rreth 200 autobusë në funksion për afro 50 linja, kanë operuar vetëm 115 mjete, duke shkaktuar radhë dhe pritje të zgjatura në stacione.

Në shkallë vendi, funksionojnë rreth 450 linja të rregullta transporti publik, të operuara nga rreth 250 kompani. Shoqatat e transportit kanë kërkuar ndërhyrje nga institucionet përkatëse, përfshirë rikthimin e skemës së kompensimit të naftës, e aplikuar më parë gjatë krizës së çmimeve.

Në mungesë të një reagimi zyrtar, operatorët theksojnë se nuk kanë mundësi ligjore për rritjen e çmimit të biletave, pasi ato përcaktohen me vendim qeverie. Megjithatë, sipas qytetarëve, në disa zona janë vërejtur rritje të çmimeve deri në 20%.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit