Transmetuar më 15-04-2026, 14:51

Kahramanmaraş, Turqi – Bilanci i një sulmi tragjik me armë zjarri në një shkollë të mesme në provincën jugore të Kahramanmaraş është rënduar, me të paktën nëntë persona të konfirmuar të vdekur dhe 13 të tjerë të plagosur.

Tetë të vdekur ishin nxënës dhe i nënti mësues. Ndër 13 të plagosur tre janë në gjendje kritike dhe gjashtë në gjendje të rëndë.

Sipas raportimeve të medias turke, përfshirë transmetuesin NTV, ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës, duke shkaktuar panik dhe ndërhyrje të menjëhershme të forcave të sigurisë dhe ekipeve mjekësore.

"Një nxënës 14-vjeçar i klasës së 8-të, i cili ishte nxënës në shkollë, kreu një masakër duke hyrë në dy klasa me armë që kishte sjellë nga shtëpia dhe duke hapur zjarr. Kemi 9 viktima. 8 nxënës dhe një mësues. Kemi 13 të plagosur. 6 janë në kujdes intensiv dhe tre janë në gjendje kritike", thanë autoritetet.

Në Kahramanmaraş, pas sulmit me armë në Shkollën e Mesme “Ayser Çalık”, Ministri i Brendshëm Mustafa Çiftçi njoftoi se 9 persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë janë plagosur.

Ministri i Drejtësisë Akın Gürlek deklaroi se “Prokuroria e Përgjithshme e Kahramanmaraş ka nisur menjëherë hetimet. Janë caktuar 3 zëvendësprokurorë dhe 4 prokurorë. Është vendosur ndalim publikimi për ngjarjen.”

Babai i autorit, Uğur Mersinli, është ndaluar nga policia.

Autoritetet nuk kanë bërë ende publike detaje të plota lidhur me autorin apo motivet e këtij sulmi të rëndë. Megjithatë, mediat vendase raportojnë se i dyshuari mund të jetë një nxënës i klasës së tetë, një informacion që mbetet ende për t’u konfirmuar zyrtarisht.

Të plagosurit janë transportuar në spitalet më të afërta, ndërsa policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Turqi, ndërsa priten reagime zyrtare nga institucionet shtetërore në orët në vijim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit