Transmetuar më 15-04-2026, 13:53

Janë zbardhur emrat e katër personave të arrestuar në lidhje me zjarrin që përfshiu një pallat në kompleksin “Arlis”, pranë zonës së njohur si “Farmacia 10” në Tiranë. Ata janë Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna.

Policia tha se në pranga kanë rënë inxhinieri Enver Admi, kontraktori i fasadës Altin Furtuna, administratori i pallatit Agron Cara, si dhe menaxherja e marketit në katin e parë, Razie Sula.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim ndërtuesi i kompleksit, biznesmeni Armand Lilo.

Zjarri i përmasave të mëdha shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe la disa persona të lënduar, të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore në QSUT.

Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan tetë mjete zjarrfikëse, dy helikopterë Cougar si dhe rreth 50 efektivë nga ushtria dhe emergjencat civile.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë dëme të mëdha në strukturën e ndërtesës, ku fasada e dyfishtë është djegur pothuajse plotësisht, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, dje, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:

-A. C., 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

-R. S., 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

-E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

-A. F., 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.

Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.

Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve përgjegjës për këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit