Transmetuar më 15-04-2026, 13:43

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka publikuar këtë të mërkurë arsyetimin e plotë të vendimit për pagat e gjyqtarëve, duke pranuar pjesërisht kërkesën e tyre.

Vendimi, i marrë më 17 shkurt me shumicë votash 7-1, përcakton se paga e gjyqtarëve nuk mund të ulet, ndërsa i ngarkon Kuvendi i Shqipërisë detyrën për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Sipas arsyetimit të Gjykatës, Kuvendi duhet të ndërhyjë për të shmangur atë që cilësohet si “ulje e fshehur” e pagave dhe për të përshtatur nivelin e tyre në raport të drejtë me funksionin dhe me rritjet në sektorë të tjerë. Afati për përmbushjen e këtij detyrimi është deri më 31 korrik 2026.

Gjykata lë të hapur mundësinë që ligjvënësi të zgjedhë mënyrën e përshtatjes së formulës, duke marrë si referencë ndryshimet në pagat e nëpunësve civilë, pagën e Presidentit apo kategori të tjera të krahasueshme, gjithnjë në përputhje me garancitë kushtetuese.

Debati për pagat e gjyqtarëve u intensifikua pas kërkesave të shoqatave të gjyqtarëve për rritje dhe indeksim automatik të tyre. Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar publikisht këto kërkesa, duke deklaruar se pagat aktuale janë më të larta krahasuar me vendet e rajonit dhe se nuk do të ketë rritje gjatë mandatit të tij.

Nga ana tjetër, përfaqësues të gjyqësorit kanë argumentuar se indeksimi i pagave është një garanci për pavarësinë e sistemit, ndërsa kanë reaguar edhe ndaj deklaratave politike, duke i cilësuar si presion ndaj një çështjeje në shqyrtim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit