

Bordi i Transparencës ka vendosur të ulë sërish çmimet e karburanteve në vend, në mbledhjen e zhvilluar më 15 prill 2026.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i naftës (gazoil standard SSH EN 590) do të jetë jo më shumë se 207 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 195 lekë për litër.
Për benzinën (standard SSH EN), çmimi i shitjes me pakicë është caktuar jo më shumë se 174 lekë për litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 162 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot në orën 13:30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e radhës së Bordit, ku do të rishikohen në varësi të lëvizjeve të tregut.
Në njoftim theksohet se operatorët e tregut të shumicës dhe pakicës janë të detyruar të zbatojnë vendimin, ndërsa në rast shkeljesh parashikohet pezullim i aktivitetit.
Institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë deklaruar angazhimin për mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
Në sqarim thuhet gjithashtu se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, ndaj dhe aplikohet niveli i plotë i akcizës prej 100 për qind.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






