

Është shtyrë seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe të pandehurve të tjerë në këtë proces. Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 27 prill, në orën 12:00.
Veliaj nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit dhe, sipas raportimeve, nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar lidhur me arsyet e mungesës së tij.
Po ashtu, është bërë me dije se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës për shoqërimin e të pandehurit dhe nuk ka vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës.
Gjatë seancës, prokurori Altin Dumani ka kërkuar që të merren masa për situatën e krijuar, duke theksuar se mosnjoftimi i të pandehurit për seancën përbën shkak për moszhvillimin e saj. Ai ka kërkuar që, në rast shtyrjeje, seanca e radhës të caktohet sa më shpejt.
Gjithashtu, është urdhëruar Drejtoria e Burgjeve që të informojë gjykatën mbi arsyet e mosnjoftimit të Veliajt për datën dhe orën e seancës së sotme.
Ndërkohë, avokati i tij ka kërkuar respektimin e të drejtave procedurale, duke theksuar se i pandehuri duhet të njoftohet rregullisht dhe të ketë mundësi të shprehë vullnetin për pjesëmarrje në proces.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






