

Ish-zëvendëskryeministrja Ermelinda Meksi ka reaguar publikisht gjatë Samiti i Diasporës, duke denoncuar atë që e cilëson si mungesë transparence dhe meritokracie në institucionet shqiptare.
Në një rrëfim personal, Meksi tregoi se djali i saj, profesionist në fushën e sigurisë kibernetike në Austri, kishte tentuar të sillte në Shqipëri një kompani ndërkombëtare për të kontribuar në rritjen e mbrojtjes digjitale të institucioneve, përfshirë AKSHI.
Sipas saj, pavarësisht komunikimeve zyrtare dhe ofertës profesionale, nuk pati asnjë reagim nga institucionet shqiptare. “Nuk mori asnjë përgjigje”, thekson Meksi, duke shtuar se edhe përpjekjet e saj për të marrë një reagim zyrtar rezultuan të pasuksesshme.
Ajo lidh këtë heshtje me zhvillimet e mëvonshme, duke theksuar se vetëm pas shpërthimit të një skandali të lidhur me AKSHI-n u bë e qartë, sipas saj, arsyeja e mungesës së përgjigjes.
Meksi ngre pikëpyetje edhe mbi menaxhimin e fondeve publike, duke përmendur rritjen e vlerës së projekteve dhe duke vënë në dyshim transparencën e procedurave. Ajo shprehet se një kompani serioze nuk mund të operojë në një sistem ku, sipas saj, ryshfeti bëhet pjesë e praktikës.
Në reagimin e saj, ajo thekson se rasti nuk është i izoluar, por pasqyron një problem më të gjerë me të cilin përballen të rinjtë dhe profesionistët, veçanërisht ata nga diaspora, që kërkojnë të kontribuojnë në vend.
Meksi kërkon më shumë hapje dhe meritokraci nga institucionet, duke theksuar se potenciali i diasporës shqiptare shkon përtej investimeve financiare dhe lidhet ngushtë me dijen dhe eksperiencën profesionale.
Ajo shton se, pa ndryshime konkrete, iniciativa si Samiti i Diasporës rrezikojnë të mbeten vetëm në nivel deklarativ, pa sjellë rezultate reale për përfshirjen e profesionistëve në zhvillimin e vendit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





