

Tiranë, 15 prill 2026 – Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një pallat në kompleksin “Arlis”, në zonën e njohur si Farmacia 10 në Tiranë, duke shkaktuar dëme në të paktën 30 apartamente.
Pallati 12 katësh që u përfshi nga flakët ndodhet pranë konvikteve të studentëve të mjekësisë dhe infermierisë.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur në katin e parë të ndërtesës, në ambientet e një biznesi, dhe më pas janë përhapur me shpejtësi në pjesë të tjera të pallatit.
Si pasojë, është dëmtuar rëndë fasada e godinës, e cila rezulton të jetë djegur në shtresën e jashtme dhe pjesërisht edhe në strukturën e brendshme.
Nga efektet e zjarrit, tymi dhe asfiksimi, janë lënduar katër qytetarë dhe gjashtë zjarrfikës, pa rrezik jete.
Nga pamjet në vendngjarje, ndërtesa paraqitet e nxirë nga flakët, ndërsa tymi vijon të dalë edhe pas shuarjes së zjarrit, duke treguar për dëme të konsiderueshme materiale.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur shkakun e rënies së zjarrit, ndërsa pritet një hetim i detajuar për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të ketë ardhur si pasojë e ndërhyrjes së personave të jashtëm.
“Kemi indiciet tona dhe po grumbullojmë provat, po marrim kamerat e sigurisë dhe do të kryhen të gjitha veprimet hetimore. Nëse zjarri do të jetë për shkaqe që kanë ardhur nga persona të jashtëm patjetër që do të ketë masa të tjera ekstreme”, tha ai.
Fatmirësisht, nuk raportohen për viktima, ndërsa ekipet e emergjencës kanë punuar për neutralizimin e flakëve dhe sigurimin e zonës.
Drejtori i zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, tha se vatra ishte në katin e parë dhe se fasada e ndihmoi të përhapet.
"Zjarri është në katin e parë të pallatit në një biznes. Do tl bëhet ekspertiza e nevojshme për të përcaktuar vatrën e zjarrit, që e ndihmoi fasada të përhapet. Fasada ka ndikuar të përhapet flaka e zjarrit,” u shpreh drejtori i zjarrfikëses.
Zjarrfikësi Nebi Muçaj, një prej personave të parë që u ndodhën në vendngjarje, tha se shkaku kryesor i rrezikut ishte tymi, i cili ngjitej nga katet e poshtme dhe bllokonte banorët në katet e sipërme. Megjithatë, pas ndërhyrjes së shpejtë, u bë i mundur evakuimi në kohë dhe nuk pati humbje jete.
“Pasojat e para; asfiksia është kryesorja. Tymrat vijnë nga poshtë dhe bllokojnë banorët lart. Pati evakuim të shpejtë dhe nuk pati dëme në jetë. Fatmirësisht dëmi ishte ende në fasadë dhe kishin mundësi të shpëtoheshin nga shkalla e brendshme.
Materiali plastik i fasadës, ishte shkaku kryesor që zjarri mori përmasa të mëdha", tha zjarrfikësi.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





