Transmetuar më 14-04-2026, 22:32

Tiranë, 14 prill 2026 – Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka propozuar një qasje të re të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë për forcimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.

Gjatë “Samitit të Diasporës” të zhvilluar në Tiranë, ai theksoi nevojën për dërgimin e një numri të konsiderueshëm mësuesish të gjuhës shqipe në shtetet ku është e përqendruar më së shumti mërgata shqiptare.

Sipas Konjufcës, ky projekt duhet të financohet nga të dyja shtetet dhe të institucionalizohet si politikë e përbashkët, duke mos u lënë vetëm në iniciativën vullnetare të komuniteteve shqiptare jashtë vendit.

“Arritja më e madhe do të ishte që së bashku me Shqipërinë të dërgonim një numër të madh mësimdhënësish, të financuar nga të dy shtetet, në vendet ku është e përqendruar mërgata jonë,” u shpreh ai.

Ai vlerësoi se aktualisht përfshirja e fëmijëve të diasporës në mësimin e gjuhës shqipe mbetet e ulët dhe, sipas tij, nuk e kalon 10 për qind.

Konjufca theksoi se ruajtja e gjuhës shqipe nuk duhet të mbetet vetëm përgjegjësi familjare, por duhet të ngrihet në nivel shtetëror, përmes një strategjie të përbashkët institucionale.

Ai shtoi gjithashtu nevojën për krijimin e strukturave dhe organizimeve të përbashkëta të diasporës, me qëllim forcimin e lidhjeve kulturore dhe kombëtare me vendet e origjinës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit