Transmetuar më 14-04-2026, 20:50

Tiranë, 14 prill 2026 – Një tjetër banor është evakuuar nga një pallat pranë kompleksit “Arlis” në Tiranë, i përfshirë nga flakët, pasi rrezikonte asfiksimin nga tymi i dendur që përfshiu zonën.

Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, në një komunikim për mediat bëri të ditur se situata është vënë nën kontroll, megjithëse operacioni vijon.

Sipas tij, bëhet fjalë për një ndërhyrje të vështirë, ndërsa konfirmoi se nuk ka viktima, por vetëm persona me lëndime të lehta.

“Është një operacion shumë i vështirë. Nuk kemi viktima. Kemi të dëmtuar me djegie dhe dëmtime të karakterit jo të rëndë. Janë nxjerrë disa banorë në pamundësi për shkak të gjendjes shëndetësore. Para pak minutash u evakuua një person i moshuar. Për të qetësuar opinionin publik, zjarri është vënë nën kontroll, por operacioni do të vazhdojë deri në neutralizimin e plotë të tij,” u shpreh Hajdari.

Ai shtoi se ngjarja mbetet në zhvillim dhe se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë, përfshirë shërbimin zjarrfikës, forcat e emergjencave civile dhe strukturat e tjera mbështetëse.

Prefekti theksoi gjithashtu se janë dhënë udhëzime për Bashkinë e Tiranës dhe emergjencat civile, me qëllim sigurimin e strehimit për qytetarët që kanë mbetur jashtë banesave si pasojë e zjarrit.

“Shteti është këtu për qytetarët,” përfundoi ai.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit