Transmetuar më 14-04-2026, 15:42

Sektori i transportit publik në Shqipëri po përballet me vështirësi të theksuara financiare, ndërsa operatorët paralajmërojnë masa që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban bëjnë me dije se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe një takimi me institucionet më 1 prill, nuk është marrë asnjë masë konkrete në mbështetje të sektorit.

Sipas tyre, mungon një skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, nuk ka një plan për uljen e kostove dhe nuk është dhënë asnjë afat për ndërhyrje. Gjithashtu, nuk ka nisur rishikimi i taksave që ndikojnë drejtpërdrejt në shpenzimet e operatorëve, përfshirë akcizën, taksën e qarkullimit dhe TVSH-në.

Operatorët theksojnë se kjo situatë ka rënduar ndjeshëm gjendjen ekonomike të kompanive, duke e bërë të vështirë vijimin normal të aktivitetit.

Për pasojë, duke nisur nga nesër, pritet reduktimi me 40% i mjeteve në qarkullim, çka do të sjellë më pak autobusë në linja dhe vështirësi të shtuara për qytetarët në lëvizje.

Shoqatat u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe planifikim të udhëtimeve, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit