

Një operacion i gjerë antidrogë i koduar “Daku” ka çuar në goditjen e një organizate kriminale në Itali, e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.
Operacioni është zhvilluar nga autoritetet në Bolzano, pas rreth dy vitesh hetime që nisën në vitin 2023. Si rezultat, janë ekzekutuar 28 masa sigurie, ku një pjesë e të dyshuarve janë vendosur në burg, ndërsa të tjerë në arrest shtëpie ose me masa alternative.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar mbi 60 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë, hashash dhe kanabis, si dhe rreth 80 mijë euro cash, armë dhe prova të tjera.
Sipas autoriteteve, grupi ishte i organizuar në disa celula dhe kishte një strukturë të qartë rolesh. Droga vinte nga Amerika Latine, kalonte përmes vendeve si Belgjika dhe Spanja, për t’u shpërndarë më pas në territorin italian, duke u transportuar me mjete të përshtatura me hapësira të fshehta.
Operacioni është shtrirë në disa zona të veriut të Italisë, nga Milano deri në Ankona, ndërsa hetimet vijojnë nën drejtimin e Antimafias së Trento për zbardhjen e plotë të aktivitetit dhe lidhjeve ndërkombëtare të organizatës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





