

TIRANË – Në kuadër të Samitit të IV të Diasporës, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, theksoi nevojën për politika konkrete që synojnë ndalimin e emigrimit të të rinjve dhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës në vendet e origjinës.
Gjatë fjalës së tij, Gashi u shpreh se është thelbësore që shtetet të ndërtojnë kushte dinjitoze për qytetarët, në mënyrë që ata të kenë mundësi të jetojnë dhe të zhvillohen në vendin e tyre.
Ai ngriti shqetësimin për largimin masiv të shqiptarëve dhe të të rinjve në përgjithësi, duke theksuar se ky fenomen kërkon zgjidhje të qëndrueshme përmes politikave afatgjata.
“Duhet të ndërtojmë politika që ndalojnë largimin e të rinjve”, u shpreh Gashi, duke nënvizuar se emigrimi ka pasur shkaqe të ndryshme në rajon, përfshirë ekonomike dhe politike, varësisht nga vendi.
Sipas tij, mungesa e mundësive ekonomike dhe pasiguria kanë qenë faktorët kryesorë që kanë nxitur shpërnguljen gjatë viteve të fundit, duke krijuar një sfidë demografike për rajonin.
Gashi bëri gjithashtu thirrje për bashkëpunim më të madh politik dhe institucional, me qëllim krijimin e më shumë mundësive për punësim dhe zhvillim, në mënyrë që qytetarët të kenë një të ardhme të qëndrueshme në vendet e tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






