Transmetuar më 14-04-2026, 11:48

VLORË – Tre persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës pasi dyshohet se kanë kanosur me armë dhe kanë dhunuar një 35-vjeçar, në lagjen “Hajro Çakërri”.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, ku autorët dyshohet se kanë përdorur një pistoletë sportive për të kërcënuar shtetasin L. S., i cili ndodhej brenda automjetit të tij.

Hetimet paraprake tregojnë se tre të dyshuarit kanë tentuar ta nxjerrin me forcë viktimën nga makina, duke e goditur me grushte dhe me tytën e armës.

Autorët e dyshuar janë identifikuar si Xh. I., 31 vjeç, K. H., 34 vjeç dhe M. Z., 20 vjeç, të tre banues në Vlorë. Ata janë vënë në pranga pas ndërhyrjes së shpejtë të policisë.

Gjatë kontrolleve, shërbimet policore kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë sportive të fshehur në një automjet që dyshohet se është përdorur në ngjarje, si dhe dy mjete të tjera të lidhura me autorët.

I dëmtuari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, ndërsa çështja po hetohet për veprat penale “kanosje”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit