Transmetuar më 14-04-2026, 10:53

TIRANË – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po shndërrohet në një “kantier të madh transformimesh”, duke ftuar diasporën shqiptare të marrë pjesë më aktivisht në investime, inovacion, jetën akademike dhe zhvillimin e vendit.

Gjatë fjalës së tij në sesionin e hapjes së Samitit IV të Diasporës, Rama theksoi rolin e rëndësishëm që diaspora ka në proceset e zhvillimit të Shqipërisë.

“Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori, por jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën, kujtesën dhe ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Ka pasur një kohë jo shumë të largët kur shqiptarët iknin nga atdheu duke marrë me vete guximin e atij që nuk ka gjë për të humbur”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se ajo që dikur shihej si “ikje e dhimbshme”, sot është shndërruar në një lidhje të fortë dhe të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe diasporës.

Sipas kryeministrit, diaspora shqiptare përfaqëson një histori të “shumëfishimit të forcave të kombit”, duke kontribuar në mënyrë të dukshme në vendet ku jeton, ndërsa njëkohësisht ruan lidhjen me atdheun.

“Diaspora shqiptare nuk është një histori ikjeje. Ajo është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerë e shtuar e Shqipërisë”, tha Rama.

Ai theksoi gjithashtu se gjuha shqipe mbetet elementi kryesor që mban të lidhur shqiptarët kudo në botë, pavarësisht distancave apo brezave.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit