

HAGË – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po zhvillohet një tjetër seancë gjyqësore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë të lidhur me UÇK-në, të cilët përballen me akuza për pengim të drejtësisë.
Së bashku me Thaçin, në këtë çështje janë të përfshirë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga Prokuroria.
Sipas procedurës gjyqësore, gjatë ditës së sotme dhe nesër pritet dëshmia e një dëshmitari të mbrojtjes, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se disponon prova, përfshirë edhe audio-incizime që, sipas saj, mbështesin akuzat për ndërhyrje në procesin gjyqësor.
Prokuroria pretendon se gjatë vizitave të zhvilluara në vitin 2023 në Hagë, të pandehurit kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale për dëshmitarët, në lidhje me gjykimin për krime të luftës.
Ndërkohë, Hashim Thaçi përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor për krime të pretenduara të luftës, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Për këtë çështje, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për secilin prej tyre.
Mbrojtja ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme akuzat dhe provat e paraqitura, duke deklaruar se nuk ekzistojnë fakte që mbështesin pretendimet e Prokurorisë.
Procesi gjyqësor vijon, ndërsa pritet që dëshmitë dhe provat e reja të kenë një rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm të çështjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






