Transmetuar më 14-04-2026, 09:30

TIRANË – Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me operacionin policor të zhvilluar ndaj disa call center-ave në kryeqytet, të dyshuar për aktivitet të paligjshëm nëpërmjet mashtrimit ndërkombëtar.

Sipas burimeve hetimore, deri më tani janë caktuar masa sigurie “arrest me burg” për 7 persona, ndërsa për 2 të tjerë është vendosur masa “detyrim paraqitjeje” dhe ndalim i daljes jashtë vendit.

Ndërkohë, janë identifikuar edhe disa nga personat e përfshirë në këtë çështje, konkretisht Eduart Dalla, Tedi Agastra dhe Mateo Hoxha.

Operacioni është shtrirë në disa ambiente të përshtatura si call center, të vendosura në zona të ndryshme të Tiranës. Sipas informacioneve, dy prej tyre ndodheshin në një kompleks biznesi në Rrugën e Kavajës, ndërsa një tjetër në afërsi të Kopshtit Zoologjik.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga autoritetet, është sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash, rreth 1 milion euro cash, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.

Hetimet paraprake tregojnë se kjo skemë mashtrimi kishte në shënjestër shtetas të huaj nga disa vende, përfshirë Austrinë, Italinë, Spanjën, Greqinë, Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dyshohet se viktimat janë mashtruar përmes metodave të ndryshme telefonike të përdorura nga operatorët e këtyre call center-ave.

Në total policia ka goditur 3 call centera, por gjatë operacionit janë zbuluar dhe disa baza të tjera call centerash që po hetohen.

Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra dy prej të arrestuarve shumat e parave i konvertonin në kriptomonedha.

Dyshohet se janë me mijëra qytetarë evropianë të mashtruar dhe dëmi përllogaritet të jetë më shumë se 50 milionë euro i shkaktuar nga aktiviteti i këtyre call centerave.

Arrest në burg:

Eduart Dalla

Mateo Hoxha

Tedi Agastra

Ledio Toçi

Xhoel Mekollo

Marsel Lami

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit