Transmetuar më 14-04-2026, 07:33

SHBA – Arion Kurtaj, një haker 18-vjeçar me origjinë shqiptare, u bë i njohur në vitin 2023 pasi u përfshi në një nga incidentet më të mëdha të sigurisë në industrinë e videolojërave, duke siguruar qasje në të dhënat e lojës së shumëpritur “Grand Theft Auto VI”. Ndërkohë, kompania zhvilluese Rockstar Games raportohet se është vënë sërish në shënjestër të hakerëve, për herë të dytë brenda tre viteve.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përfshirë BBC, shkelja më e fundit e të dhënave është bërë publike gjatë fundjavës, pasi një grup hakerësh mori përgjegjësinë për sulmin. Ata pretendojnë se kanë depërtuar në serverët e Rockstar, të menaxhuar nga një ofrues i shërbimeve cloud, duke kërcënuar me publikimin e materialeve të përftuara nëse nuk paguhet një shpërblim.

Megjithatë, Rockstar Games ka minimizuar ndikimin e incidentit, duke deklaruar se nuk ka pasoja për funksionimin e kompanisë apo për përdoruesit e saj. Në një reagim për BBC-në, një zëdhënës i kompanisë theksoi se është aksesuar vetëm një sasi e kufizuar informacioni jo i ndjeshëm, në kuadër të një shkeljeje nga palë të treta.

Ky zhvillim rikthen vëmendjen te sulmi i vitit 2023, kur Arion Kurtaj, i lidhur me grupin e hakerëve “Lapsus$”, arriti të depërtonte në sistemet e kompanisë dhe të siguronte materiale të rëndësishme, përfshirë kod burimor dhe videoklipe nga versioni ende i papërfunduar i lojës “GTA 6”.

Si pasojë e atij sulmi, rreth 90 videoklipe të lojës u publikuan në forume online, duke detyruar Rockstar Games të përshpejtonte publikimin e materialeve zyrtare promovuese, përfshirë trailer-in e lojës së shumëpritur. Grupi “Lapsus$”, ku bënte pjesë Kurtaj, është përgjegjës për një sërë sulmesh ndaj korporatave të mëdha gjatë viteve 2022–2023.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit