

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shfaqur në një moment të pazakontë në Shtëpia e Bardhë, ku priti gazetarët gjatë dorëzimit të një porosie ushqimore.
Sipas raportimeve, një korriere e platformës DoorDash, e identifikuar si Sharon Simmons nga Arkansas, mbërriti me dy çanta ushqimi nga McDonald’s pranë Zyrës Ovale. Situata mori vëmendje të veçantë pasi Trump vendosi ta shfrytëzonte momentin për një bashkëbisedim të shkurtër me mediat.
“Kjo nuk duket e inskenuar, apo jo?”, u shpreh ai me ironi, përpara se të zhvillonte një konferencë të improvizuar që zgjati rreth 15 minuta.
Gjatë bashkëbisedimit, presidenti promovoi politikën e tij për heqjen e taksave mbi bakshishet, duke e cilësuar atë si një nismë në mbështetje të punonjësve të shërbimeve. Ai iu drejtua korrieres duke theksuar se kjo politikë “i përket vërtet asaj”.
Në vijim të ndërveprimit, Trump i dha punonjëses një bakshish në para, ku gazetarët vunë re të paktën një kartëmonedhë prej 100 dollarësh.
Ngjarja, e cila u zhvillua në mënyrë spontane, u interpretua si pjesë e përpjekjeve të presidentit për të promovuar axhendën e tij fiskale, ndërsa afrohet periudha e deklarimeve tatimore në SHBA.
Më vonë, drejtori i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, publikoi edhe një imazh nga porosia, duke treguar drekën e presidentit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





