

Në ambientet e Teatri i Operas dhe Baletit është çelur Samiti i Katërt i Diasporës Shqiptare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të diasporës nga mbarë bota.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, theksoi në fjalën e tij se shqiptaria shtrihet përtej kufijve shtetërorë dhe përfaqëson një vlerë me ndikim global. Ai nënvizoi se diaspora nuk duhet parë vetëm si burim remitancash, por si një partner kyç në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe kombëtar të vendit.
Në kuadër të ceremonisë, kreu i shtetit dekoroi disa figura të njohura të diasporës për kontributin e tyre ndër vite, mes të cilëve Lorik Cana, Gentian Toshkezi, Klarita Gërxhani, Shqiponja Telhaj, Markus Schuhmann dhe Anders Lindberg.
Samiti do të zgjasë tre ditë dhe synon të forcojë bashkëpunimin ndërshqiptar, duke mbledhur personalitete nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Greqi.
Dita kryesore e aktivitetit do të jetë e marta, 14 prill, e organizuar në formën e një kuvendi. Në këtë ditë pritet të mbajë një fjalë përshëndetëse edhe kryeministri Edi Rama.
Gjatë samitit do të zhvillohen 17 panele diskutimi, ku do të trajtohen tema që lidhen me rolin e ri të diasporës, si dhe me rëndësinë e artit dhe kulturës në ruajtjen dhe përcjelljen e identitetit kombëtar.
Aktiviteti pritet të përmbyllet me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë, duke synuar forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes institucioneve dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





