

Në një lëvizje të paprecedentë, president i SHBA-ve Donald Trump sulmoi Papa Leonin XIV, për kritikat në rritje për luftën në Iran dhe Liban nga Papa i parë amerikan në histori.
Presidenti amerikan e sulmoi drejtpërdrejt Papën përmes një postimi në rrjetin social “Truth Social”, si dhe në deklarata publike në prag të udhëtimit historik të tij në Afrikë, ku Leoni pritet të bëhet Papa i parë që viziton Algjerinë.
Në reagimin e tij, Trump e cilësoi Papa Leonin XIV si “të dobët” dhe “të paaftë në politikën e jashtme”, duke e akuzuar gjithashtu se injoron çështje të rëndësishme si trajtimi i kishave dhe besimtarëve gjatë pandemisë së Covid-19.
Presidenti amerikan shkoi më tej në kritikat e tij, duke deklaruar se nuk dëshiron një Papë që toleron mundësinë e pajisjes së Iranit me armë bërthamore, apo që kritikon veprimet e SHBA-ve në arenën ndërkombëtare. Ai shtoi se Papa duhet të përqendrohet në rolin e tij shpirtëror dhe jo në politikë.
Në deklaratat e tij, Trump përmendi edhe vëllain e Papës, Louis, duke e cilësuar si më të afërt me pikëpamjet e tij dhe të Lëvizjes Maga, ndërsa pretendoi se zgjedhja e Leonit XIV si Papë ishte e papritur dhe e lidhur pikërisht me origjinën e tij amerikane.
“Po të mos isha unë në Shtëpinë e Bardhë, Leoni nuk do të ishte në Vatikan”, shprehej ai.
Kjo përplasje shënon një precedent të rrallë në marrëdhëniet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Vatikanit, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin e retorikës politike në raportet me institucionet fetare në një kohë tensionesh të larta ndërkombëtare.
E paprecedentë
Në të kaluarën nuk ka pasur mosmarrëveshje midis Shtëpisë së Bardhë dhe krerëve më të lartë të Vatikanit. George W.Bush nuk i vlerësonte kritikat e John Paul II për Irakun. Dhe vetë Trump gjatë mandatit të tij të parë kishte polemika me Papa Françeskun, i cili i kishte etiketuar si jo të krishterë ata që ndërtonin mure për të ndaluar emigrantët (duke iu referuar murit mes SHBA-ve dhe Meksikës). Por nuk kishte ndodhur kurrë që një president në detyrë i Amerikës të sulmonte një Papë.
Kritikat e Papa Leonit
Sulmet erdhën pasi Papa kritikoi hapur luftën në Iran dhe Liban. Gjatë javës së shenjtë, Papa Leoni i quajti kërcënimet e Trump-it për të shkatërruar Iranin si të papranueshme. Të shtunën në mbrëmje, Papa mbajti një lutje për paqe ku mes të tjerash, ai tha se “lutja është një barrierë për deluzionet që janë bërë më agresive”.
Çështja e Pentagonit
Në ditët e fundit kanë qarkulluar lajmet se pas fjalimit të Papës në janar drejtuar trupave diplomatike ku ai tha se “lufta është prap në modë” dhe denoncoi shkeljen e ligjeve ndërkombëtare, Kardinali Cristophe Pierre u thirr nga Pentagoni, me këta të fundit që shprehën zemërimin e tyre.
Reagime nga Kisha
Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, Paul S. Coakley, reagoi duke u shprehur i tronditur nga gjuha e përdorur nga Trump: “Papa nuk është rival politik, por përfaqësues i Krishtit që flet në emër të së vërtetës dhe kujdesit për njerëzit”.
Edhe figura të tjera të Kishës reaguan, duke kritikuar tonin e presidentit amerikan dhe duke theksuar rolin moral të Papës në një kohë konfliktesh globale.
Konferenca Ipeshkvnore Italiane, në një reagim zyrtar, shprehu solidaritet me Papa Leonin XIV, duke kujtuar se ai nuk është një figurë politike, por një udhëheqës shpirtëror që mbron paqen, dialogun dhe dinjitetin njerëzor./ La Repubblica
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





