Transmetuar më 13-04-2026, 15:29

Tiranë, 13 Prill 2026 – Detaje të reja janë bërë publike lidhur me rrëmbimin e një 32-vjeçari në kryeqytet, ngjarje për të cilën policia ka identifikuar tre autorë, dy prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Sipas burimeve zyrtare, autorët – Kevin Neza, Jurgen Neza dhe Hysen Neza – rezultojnë persona me precedentë penalë, të njohur për policinë për vjedhje dhe përfshirje në konflikte.

Hetimet paraprake tregojnë se ata kishin monitoruar prej kohësh lëvizjet e 32-vjeçarit, biznesmen me mbiemrin Sula nga Divjakë, i cili ishte kthyer në Shqipëri rreth dy muaj më parë pas një periudhe jashtë vendit.

Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, ku i riu ishte duke konsumuar kafe. Në momentin që është larguar nga lokali, tre autorët i janë afruar dhe, duke u prezantuar si agjentë të Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), e kanë detyruar të hipte në automjet.

Sipas dëshmisë, njëri prej tyre mbante kapele dhe syze, ndërsa dy të tjerët ishin të maskuar me maska dhe syze për të fshehur identitetin.

Pas rrëmbimit, 32-vjeçari është dërguar në një ambient në zonën e Xhafzotaj, ku është mbajtur për disa orë. Gjatë kësaj kohe, ai është dhunuar fizikisht dhe kërcënuar për të dorëzuar një shumë të konsiderueshme parash.

Fillimisht, autorët i kanë kërkuar 2 milionë euro. Pas refuzimit të tij, shuma është ulur në 1 milion euro dhe më pas në 500 mijë euro. Në orët e mëngjesit, ata e kanë liruar me qëllim që të siguronte shumën e kërkuar.

Pas lirimit, biznesmeni ka bërë kallëzim në polici, çka ka çuar në arrestimin e dy prej autorëve. Ndërkohë, strukturat e rendit vijojnë operacionin për kapjen e personit të tretë dhe për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje kriminale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit