

Tiranë, 13 Prill 2026 – Shqyrtimi i projektligjit për amnistinë, nga e cila pritet të përfitojnë 447 të burgosur, është shtyrë për shkak të pritjes së një përgjigjeje nga Komisioni Europian.
Megjithëse drafti i miratuar nga qeveria në dhjetor ishte parashikuar të diskutohej në komisionet parlamentare gjatë muajit prill, burime qeveritare bëjnë të ditur se procedura është pezulluar përkohësisht. Sipas tyre, autoritetet shqiptare janë në pritje të një vlerësimi nga strukturat përkatëse në Bruksel, në përputhje me praktikën e ndjekur edhe për projektligje të tjera.
“Projektligji i amnistisë, njësoj si nisma të tjera ligjore, kërkon paraprakisht opinionin e institucioneve europiane përpara se të shqyrtohet në Kuvend,” kanë deklaruar burime zyrtare.
Përveç 447 të burgosurve që pritet të përfitojnë lirim, drafti parashikon edhe ulje dënimi për 853 të dënuar të tjerë. Ndërkohë, nga masat alternative të mbikëqyrura nga Shërbimi i Provës, pritet të përfitojnë 5,077 persona.
Projektligji përfshin gjithashtu një dispozitë që parashikon pushimin e ndjekjes penale për rreth 14 mijë procedime që lidhen me vepra penale të lehta, duke filluar nga viti 2024.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





