Transmetuar më 13-04-2026, 12:22

TIRANË – Hetimet për dosjen e kokainës së zbuluar në Frakull kanë hyrë në një fazë të re, pasi dy persona të arrestuar janë bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë në kuadër të hetimeve të SPAK.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se dy të pandehurit kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë në cilësinë e të penduarve, duke dhënë informacione të rëndësishme mbi aktivitetin kriminal dhe personat e tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës.

Sipas të njëjtave burime, njëri prej tyre është shtetas shqiptar dhe tjetri i huaj, të dy të dënuar më herët, të cilët pritet të japin dëshmi të detajuara që mund të çojnë në “zbërthimin” e plotë të organizatës kriminale.

Hetuesit po verifikojnë aktualisht deklarimet e tyre, ndërsa pritet që bashkëpunimi i tyre të ndihmojë në identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë në rrjet.

Çështja lidhet me sasinë prej 485.5 kilogramë kokainë të përzier me pleh kimik, e cila u zbulua më 24 nëntor 2022 në banesën e ish-kryekomunarit të Frakullës, Viktor Çervanaku, që dyshohet se ishte kthyer në laborator për përpunimin e lëndës narkotike.

Sipas hetimeve të mëparshme, droga kishte hyrë në Shqipëri e fshehur në ngarkesë plehu kimik, duke kaluar përmes Porti i Pireut dhe më pas Porti i Barit, përpara se të transportohej drejt territorit shqiptar.

Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe pritet që dëshmitë e të penduarve të sjellin zhvillime të mëtejshme në dosje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit