Transmetuar më 13-04-2026, 12:19

Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prévot, ka nisur një vizitë njëjavore në Ballkanin Perëndimor, me fokus mbështetjen e perspektivës së integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Turit i përfshin Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, por nuk parashikon një ndalesë në Shqipëri.

Kjo është vizita e parë e Prévot në rajon, e cila synon të riafirmojë angazhimin e Belgjikës ndaj procesit të zgjerimit të BE-së dhe të nxisë përshpejtimin e reformave të nevojshme në vendet kandidate dhe aspiruese.

“Ballkani Perëndimor nuk është në pragun e Evropës. Ata janë në Evropë. Siguria e tyre është siguria jonë dhe stabiliteti i tyre është stabiliteti ynë,” deklaroi ministri belg, duke theksuar rëndësinë e një perspektive të besueshme të integrimit, por edhe nevojën për reforma konkrete nga vendet e rajonit.

Turin e tij, Prévot e ka nisur në Malin e Zi, i konsideruar si kandidati më i avancuar në procesin e anëtarësimit në BE. Më pas, ai do të vizitojë Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Në Kosovë, përveç agjendës politike, ministri belg pritet të vizitojë edhe pjesëtarët e kontingjentit belg që shërbejnë në misionin e KFOR-it, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë do të ndalet në Srebrenicë, vendi i një prej masakrave më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Mungesa e Shqipërisë në këtë tur rajonal ka tërhequr vëmendje, ndonëse autoritetet belge nuk kanë dhënë shpjegime zyrtare për mos-përfshirjen e saj në këtë itinerar.

Turit pritet të shërbejë si një sinjal politik për vijimin e mbështetjes së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, në një periudhë kur procesi i zgjerimit mbetet në qendër të debatit politik evropian.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit