Transmetuar më 13-04-2026, 12:01

Gjykata e Tiranës ka shpallur zyrtarisht si të arratisur shtetasin palestinez Fadi Alwan, i akuzuar për vrasjen e vajzës së tij, Rayyan Alwai, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2025 në kryeqytet.

Vendimi është marrë pasi autoritetet e Libanit kanë refuzuar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Sipas një shkrese të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të datës 18.09.2025, pala libaneze ka njoftuar zyrtarisht mospranimin e kërkesës për ekstradim.

Shtetasi 49-vjeçar u arrestua në Liban më 23 prill 2025, por më pas u lirua nga procedura e ekstradimit, duke bërë që masa e sigurisë “arrest në burg” e caktuar nga drejtësia shqiptare të mbetet e paekzekutuar.

Pas këtij zhvillimi, gjykata shqiptare e ka deklaruar atë në kërkim dhe në gjendje të arratisur, ndërsa vijojnë procedurat ligjore në mungesë të tij.

Ngjarja për të cilën ai akuzohet ndodhi në një apartament me qira ditore në Tiranë, ku u gjet e pajetë 22-vjeçarja Rayyan Alwai.

Nga verifikimet rezulton se viktima kishte hyrë në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit më 19 shkurt 2025, së bashku me të atin, ndërsa ky i fundit ishte larguar nga vendi më 22 shkurt 2025.

Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet dhe procedurat ligjore në mungesë të të dyshuarit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit