

Ndërsa vendet europiane po largohen gjithnjë e më shumë nga automjetet me naftë, në Shqipëri kjo kategori vijon të dominojë tregun e makinave të reja, duke e bërë vendin më të ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve të karburanteve.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 u regjistruan për herë të parë rreth 17.7 mijë autovetura, nga të cilat 59% ishin me naftë.
Kjo përqindje mbetet ndër më të lartat në Europë. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2024, mesatarisht vetëm 15% e regjistrimeve të reja në Bashkimin Europian ishin automjete me naftë. Pas Shqipërisë renditen Moldavia dhe Bosnjë-Hercegovina, me përkatësisht 47% dhe 44%.
Megjithëse krahasuar me vitin 2024, kur pesha e makinave diesel arrinte në 66%, vihet re një rënie prej 6 pikë përqindje, dominimi i tyre në tregun shqiptar mbetet i lartë.
Ndryshe nga Shqipëria, në Europë mbizotërojnë automjetet me benzinë, të cilat përbënin rreth 60% të regjistrimeve të reja në vitin 2024. Në tregun vendas, makinat me benzinë përfaqësonin vetëm 18% të totalit në tre muajt e parë të vitit 2026.
Një zhvillim pozitiv është rritja e automjeteve elektrike, të cilat arritën në 13% të regjistrimeve të reja gjatë periudhës janar-mars 2026, në një nivel të ngjashëm me mesataren europiane.
Pse Europa po braktis makinat me naftë
Sipas të dhënave të Eurostat, në periudhën 2014–2024, numri i automjeteve me naftë (përfshirë hibride) në 20 vende të BE-së ka rënë me 67%, ndërsa automjetet me benzinë janë rritur me 60%.
Rënia lidhet me një kombinim faktorësh rregullatorë dhe tregu. Një pikë kthese ishte skandali i njohur si Dieselgate në vitin 2015, kur Volkswagen u zbulua se kishte manipuluar testet e emetimeve për miliona automjete diesel. Ky skandal goditi ndjeshëm besimin e konsumatorëve.
Në vijim, vendet europiane shtrënguan standardet e ndotjes, vendosën kufizime për automjetet diesel në qytete dhe rritën taksat për këtë kategori. Paralelisht, politikat e Bashkimit Europian kanë nxitur përdorimin e makinave elektrike dhe hibride përmes subvencioneve dhe objektivave klimatike.
Si rezultat, prodhuesit dhe konsumatorët janë orientuar drejt alternativave më të pastra, duke çuar në një rënie të vazhdueshme të peshës së makinave me naftë në tregun europian, veçanërisht në segmentin e automjeteve të reja.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






