Transmetuar më 12-04-2026, 22:54

Deputetja e Partisë Socialiste dhe ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar pas fitores së opozitës në zgjedhjet parlamentare në Hungaria, duke e cilësuar atë si një sinjal të rëndësishëm për të ardhmen demokratike të Europës.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Spiropali theksoi se zhvillimet në Hungari nuk përfaqësojnë thjesht një rotacion politik, por një tregues më të thellë për fuqinë e shoqërive për të korrigjuar kursin e tyre.

“Ndryshimi është i mundur edhe në sisteme të konsoliduara”

Sipas saj, fitorja e Péter Magyar dëshmon se edhe në sisteme të konsoliduara politikisht ekziston hapësirë për ndryshim.

“Fakti që një figurë e re në skenën politike arrin të mobilizojë një shoqëri të tërë dhe të fitojë në mënyrë bindëse tregon se energjia politike nuk është e mbyllur, por pret momentin për t’u shprehur,” u shpreh ajo.

Një mesazh për Europën

Spiropali theksoi se ky zhvillim përbën një sinjal të rëndësishëm për vetë Bashkimi Europian, duke nënvizuar se demokracia nuk është vetëm proces votimi, por edhe respektim standardesh dhe kufizim i pushtetit.

Ajo iu referua gjithashtu modelit të ndërtuar nga Viktor Orbán ndër vite, i cili, sipas saj, ka sfiduar disa nga parimet themelore të BE-së.

“Europa fitoi besimin në vetvete”

Në reagimin e saj, Spiropali vuri theksin edhe te dimensioni më i gjerë i këtij rezultati, duke e konsideruar atë si një fitore për vetë Europën.

“Ky ndryshim tregon se edhe në zemër të Europës, shoqëritë kanë fuqinë të rikthejnë balancën, të korrigjojnë devijimet dhe të kërkojnë institucione funksionale,” theksoi ajo.

Sipas Spiropalit, në një kohë kur ndikimet e jashtme – përfshirë ato nga Rusia – synojnë të dobësojnë besimin në vlerat demokratike, zhvillime të tilla tregojnë se këto vlera mbeten të gjalla dhe të mbrojtshme nga vetë qytetarët.

“Europa është një proces, jo një gjendje”

Në përfundim, Spiropali theksoi se Europa duhet parë si një proces i vazhdueshëm dhe jo si një realitet i pandryshueshëm.

“Europa nuk është një gjendje e përhershme, por një përpjekje e vazhdueshme për të mbrojtur dhe forcuar demokracinë funksionale,” u shpreh ajo, duke e cilësuar rastin e Hungarisë si një provë domethënëse për të gjitha shoqëritë europiane.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit