Transmetuar më 12-04-2026, 12:38

TIRANË – Në Shqipëri po shënohet një rritje e fortë e kërkesës për kujdestarë të të moshuarve, mes një tregu pune gjithnjë e më të orientuar drejt shërbimeve brenda familjes dhe një sistemi publik të kufizuar të përkujdesit social.

Sipas të dhënave të tregut të punës, vetëm gjatë vitit 2025 janë publikuar mbi 9,700 njoftime për punësim kujdestarësh për të moshuarit, me një rritje prej 37% krahasuar me vitin e mëparshëm. Pagat në këtë sektor arrijnë deri në 150 mijë lekë në muaj, në varësi të gjendjes shëndetësore dhe nevojës për kujdes intensiv.

Drejtues të qendrave private të përkujdesit për të moshuarit në Tiranë thonë se kërkesa për shërbime është e vazhdueshme, ndërsa kapacitetet mbeten të kufizuara. Një pjesë e madhe e të moshuarve trajtohen në gjendje të rënduar shëndetësore, duke kërkuar kujdes 24-orësh mjekësor dhe infermieror.

Sociologët paralajmërojnë se Shqipëria po përballet me një proces të përshpejtuar plakjeje të popullsisë, i shoqëruar me emigracion të lartë të të rinjve dhe rritje të numrit të të moshuarve që jetojnë vetëm.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 64 mijë persona mbi 60 vjeç jetojnë të vetëm në vend, ndërsa sistemi shtetëror i azileve arrin të akomodojë vetëm disa qindra të moshuar në vit, duke mos përmbushur kërkesën reale.

Aktualisht, në të gjithë vendin funksionojnë disa qendra publike dhe private për të moshuarit, por ekspertët i cilësojnë ato të pamjaftueshme për nevojat në rritje, duke kërkuar zgjerim të shërbimeve dhe politika më të forta sociale për këtë kategori.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit