

TIRANË – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se qeveria ka stabilizuar një skemë të rritjes së përvitshme të pensioneve, e cila pritet të përshpejtohet në vitet në vijim.
Sipas tij, rritja e aplikuar në janar të këtij viti do të dyfishohet në janarin e ardhshëm, do të trefishohet në vitin 2028, katërfishohet në 2029 dhe pesëfishohet në 2030, duke synuar përmirësimin gradual të të ardhurave për pensionistët.
Paralelisht, qeveria po përgatit edhe një kolonë të re në sistemin e pensioneve, që do të funksionojë si shtesë ndaj skemës ekzistuese. Kjo nismë synon të krijojë një mundësi të dytë mbështetjeje financiare për qytetarët në të ardhmen.
Modeli i ri parashikon që çdo punonjës të kontribuojë me një shumë të vogël nga paga e tij, ndërsa shteti ose punëdhënësi do të japë një kontribut të barabartë, duke krijuar një fond individual që i shtohet pensionit bazë.
Kryeministri theksoi se kjo skemë bazohet në modele të suksesshme ndërkombëtare dhe synon forcimin e sigurisë financiare për moshën e tretë, pa zëvendësuar sistemin aktual të pensioneve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






