

DURRËS – Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Shije e hidhur”, duke zbuluar një bazë që prodhonte drogë sintetike në formë karamelesh, e destinuar kryesisht për adoleshentë pranë shkollave.
Operacioni u zhvillua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë aksionit u arrestuan në flagrancë dy vëllezër, shtetasit L. L., 20 vjeç dhe R. L., 25 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi Xh. L., 20 vjeç.
Sipas hetimeve, të rinjtë kishin ngritur një bazë për përpunimin e lëndëve narkotike sintetike, duke prodhuar drogë në formë xhelatine (“karamele”) dhe duke e shpërndarë atë pranë shkollave të mesme.
Gjatë kontrollit ndaj njërit prej të arrestuarve, pranë zonës së shkollave, u sekuestruan 50 paketime me lëndë narkotike në formë karameleje, me peshë rreth 650 gramë.
Ndërkohë, në banesën e tyre në Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi sasi të tjera lëndësh narkotike, materiale për prodhim, përfshirë 550 gramë përbërës sintetikë, peshore elektronike dhe kallëpe për formimin e karameleve.
Autoritetet bëjnë me dije se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






