Transmetuar më 12-04-2026, 07:32

Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kanë kremtuar festën e shenjtë të Pashkës, duke përcjellë mesazhe paqeje, shprese dhe mirësie. Meshat e Ngjalljes së Krishtit u zhvilluan në kisha dhe katedrale, ndërsa kulmi i kremtimeve u shënua në mesnatën mes datave 11 dhe 12 prill.

Në Tiranë, ceremonia kryesore u mbajt në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, nën drejtimin e Kryepeshkopit Joan. Mijëra besimtarë morën pjesë në meshën solemne, ku ndezën qirinj dhe u bashkuan në lutje, duke shpërndarë mesazhe besimi dhe shprese.

Atmosfera e kësaj nate të veçantë u karakterizua nga ritualet tradicionale dhe tingujt e kambanave, që shpallën Ngjalljen. Klerikët ortodoksë theksuan se Pashka përfaqëson një thirrje për dashuri, falje dhe bashkim mes njerëzve.

Pas përfundimit të meshës, besimtarët u larguan me qirinj të ndezur në duar, simbol i dritës dhe shpresës, që e çojnë në familjet e tyre si shenjë bekimi dhe begatie.

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, ose pas hënës së parë të plotë të kësaj periudhe. Sipas traditës biblike, kjo festë simbolizon kalimin nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe, kur kryqëzohet Jezu Krishti, në të Dielën e Pashkëve, kur Ai ngjallet.

Urimi “Krishti u Ngjall!” jehon njëzëri mes besimtarëve, të cilët, sipas traditës, çukisin vezët e kuqe – simbol i gjakut të Krishtit dhe i fitores së jetës mbi vdekjen. Vezët përfaqësojnë gjithashtu lindjen e jetës së re, ndërsa drita e Pashkës simbolizon ndriçimin që buron nga Ngjallja.

Në vijim të traditës, besimtarët marrin dritën e shenjtë nga kisha dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë shenjën e kryqit në prag dhe duke e ruajtur atë si simbol të bekimit dhe mbrojtjes.

Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve ortodoksë!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit