

Një propozim i ri në sistemin e drejtësisë parashikon që ulja e dënimit dhe lirimi i parakohshëm i të dënuarve të mos kalojnë më përmes gjykatave, por të shqyrtohen drejtpërdrejt nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Sipas këtij drafti, të dënuarit që përfitojnë ulje dënimi për shkak të punës dhe sjelljes së mirë — rreth 90 ditë në vit — nuk do t’i drejtohen më sistemit gjyqësor për këto kërkesa, por procesi do të administrohet në nivel institucional nga administrata e burgjeve.
Nisma është hartuar nga grupi i punës pranë “Poli i Drejtësisë”, me synimin për të ulur ngarkesën e madhe të dosjeve në gjyqësor, veçanërisht në gjykatat administrative, të cilat përballen me një stok të konsiderueshëm çështjesh të prapambetura.
Sipas burimeve, reforma synon gjithashtu ndryshime në mënyrën e zhvillimit të proceseve gjyqësore për çështje të lehta penale, duke parashikuar zhvillimin e seancave pa praninë fizike të të dënuarve dhe përdorimin e komunikimit online, me kusht pjesëmarrjen e avokatit.
Një tjetër element i diskutuar është edhe njoftimi elektronik i palëve, si dhe reduktimi i trupave gjyqësore në një gjyqtar të vetëm për çështje të thjeshta, me qëllim përshpejtimin e shqyrtimit të dosjeve.
Grupi i punës, ku marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe gjykatave, po shqyrton mënyra për të adresuar stokun e dosjeve që raportohet të ketë arritur në rreth 160 mijë çështje të pashqyrtuara.
Pas finalizimit të draftit, propozimet pritet t’i kalohen strukturave përkatëse për ndërhyrje ligjore, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se është në pritje të sugjerimeve nga institucionet e sistemit të drejtësisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






