

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur një aksion të gjerë kontrollesh në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend, me synim evidentimin dhe sekuestrimin e sendeve të paligjshme në ambientet e brendshme të sigurisë së lartë.
Fillimisht, kontrollet u ushtruan në IEVP Durrës, ku pak ditë më parë u verifikuan edhe qelitë e disa të paraburgosurve të njohur, përfshirë raste të profilit të lartë. Sipas burimeve zyrtare, në këto qeli nuk u gjetën sende të jashtëligjshme, megjithatë në një tjetër sektor të institucionit u sekuestrua një telefon celular i fshehur në ambientet e tualetit.
Aksioni ka vijuar më pas në IEVP Rrogozhinë, ku gjatë kontrolleve janë zbuluar sende të ndaluara, përfshirë mjete prerëse të improvizuara, karikues dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat nuk lejohen brenda ambienteve të burgut.
Sipas autoriteteve, operacioni ka për qëllim forcimin e sigurisë dhe parandalimin e komunikimeve të paligjshme brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit. Drejtoria e Burgjeve ka bërë të ditur se kontrollet do të shtrihen në të gjitha institucionet në vend dhe do të vijojnë pa ndërprerje.
Ky aksion vjen në vijim të ndryshimeve në drejtimin e sistemit penitenciar, pas emërimit të Adriatik Kupi në krye të Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






