Transmetuar më 11-04-2026, 14:15

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar opozitën dhe mediat gjatë një deklarate nga Lushnjë, duke i akuzuar për keqinterpretim të qëllimshëm të deklaratave të tij.

Rama u shpreh se, sipas tij, ka një përpjekje të vazhdueshme për të nxjerrë jashtë kontekstit qëndrimet e qeverisë, në kuadër të asaj që ai e cilësoi si një “luftë tribale” dhe jo politike.

Ai ndaloi edhe te çështja e mbështetjes për fermerët, duke theksuar se skema e furnizimit me naftë nuk ka qenë e përsosur, por sipas tij ka synuar të shmangë abuzimet.

Sipas Ramës, jo të gjithë përfituesit e mëparshëm e përdornin naftën për qëllime bujqësore, çka ka sjellë nevojën për rishikim të skemës dhe vendosjen e kritereve më të qarta.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë debatesh të forta politike mbi mbështetjen për sektorin bujqësor dhe rritjen e çmimeve në vend.

"Është e neveritshme se si, për hir të një lufte të verbër, as politike, por tribale, angazhohet një lugë e tërë tenxheresh për ta nxjerrë nga konteksti atë që themi. Ndërkohë që është e qartë për ata që janë fermerë, se ajo që kemi bërë ne është shumë më shumë se “jepni naftë”. Jo të gjithë e meritonin naftën dhe e përdornin për punë bujqësie. Skema e ndarjes ishte një skemë që kishte problematikat e veta," tha Rama.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit