

Detaje të reja janë bërë publike nga vrasja e 41-vjeçarit Artur Çangu, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Viron, në zonën e Niklës, Fushë-Krujë.
Sipas të dhënave hetimore, mes viktimës dhe autorit të dyshuar, Eduart Afmataj, dyshohet se prej rreth dy vitesh kanë ekzistuar konflikte të vazhdueshme të lidhura me çështje pronësie, të cilat kanë agravuar marrëdhëniet mes tyre.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur kur 41-vjeçari kishte shkuar pranë banesës së prindërve të tij dhe kishte parkuar automjetin në afërsi të saj. Ky veprim ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Afmatajt, i cili ka dalë nga banesa dhe është përfshirë në debat me viktimën, duke pretenduar se automjeti i kishte bllokuar rrugën.
Debati mes tyre mësohet se ka degjeneruar në konflikt fizik, ndërsa në një moment autori i dyshuar ka përdorur një armë gjahu tip “çifte” dhe ka qëlluar ndaj 41-vjeçarit, i cili ka humbur jetën në vendngjarje.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se mes dy familjeve ka pasur edhe lidhje krushqie, çka e bën konfliktin edhe më kompleks, ndërsa më herët janë raportuar edhe tensione të tjera të lidhura me çështje pronësie.
Pas ngjarjes, Eduart Afmataj dyshohet se ka njoftuar vetë autoritetet dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia e Shtetit ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






