

Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar takime me drejtuesit dhe efektivët e policisë në Shkodër dhe Lezhë, ku ka prezantuar prioritetet kryesore të punës dhe ka kërkuar rritje të efikasitetit në luftën kundër kriminalitetit.
Gjatë takimeve me drejtues të Drejtorive Vendore të Policisë dhe strukturave të Kufirit dhe Migracionit, Hita theksoi nevojën për punë parandaluese, gjurmuese dhe hetime cilësore në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, duke kërkuar profesionalizëm, integritet dhe përkushtim maksimal në shërbim të qytetarëve.
Një ndër prioritetet kryesore të evidentuara ishte goditja e kultivimit të bimëve narkotike, ku drejtori kërkoi masa të menjëhershme për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve, financuesve dhe trafikantëve. Ai e cilësoi të papranueshme përsëritjen e situatave të njëjta çdo vit në këto qarqe, duke kërkuar analizë të thelluar dhe parandalim efektiv.
Në fokus të detyrave ishin gjithashtu lufta kundër armëmbajtjes pa leje, kapja e personave në kërkim, parandalimi dhe zbardhja e ngjarjeve kriminale, si dhe goditja e fenomeneve të paligjshme si ndërtimet pa leje, lojërat e fatit dhe aktivitetet e palicencuara.
Drejtori i Përgjithshëm paralajmëroi tolerancë zero ndaj shkeljeve të ligjit dhe abuzimit me detyrën, duke theksuar se do të merren masa të rrepta ndaj çdo punonjësi që shkel ligjin apo bashkëpunon me paligjshmërinë.
Një tjetër fokus ishte përmirësimi i shërbimit në pikat kufitare, ku strukturat përkatëse u udhëzuan të menaxhojnë flukset për të shmangur radhët dhe për të garantuar një pritje dinjitoze për qytetarët dhe turistët, si dhe të forcojnë kontrollet kundër trafikut të paligjshëm.
Gjithashtu, u bë e ditur se duke nisur nga fillimi i javës, do të ndërmerret një operacion për lirimin e akseve rrugore nga zaptimet e paligjshme, në bashkëpunim me ARRSH, duke parashikuar masa ndëshkuese për shkelësit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






