

Tensionet e reja gjeopolitike në Lindjen e Mesme kanë ndryshuar ndjeshëm pritshmëritë për ekonominë globale dhe tregjet financiare, duke rritur rrezikun për një valë të re inflacioni. Rritja e fortë e çmimeve të naftës dhe produkteve energjetike gjatë muajit mars po shihet si faktori kryesor që mund të përmbysë skenarin e një inflacioni të qëndrueshëm pranë objektivave të bankave qendrore.
Ekspertët paralajmërojnë se, ndryshe nga pritshmëritë fillestare për një krizë afatshkurtër, çmimet e energjisë kanë gjasa të mbeten të larta për një periudhë më të gjatë, duke ushtruar presion zinxhir mbi kostot e prodhimit dhe çmimet e mallrave e shërbimeve.
Rritja e interesave duket e pashmangshme
Nëse presionet inflacioniste vijojnë të forcohen, një rritje e normave të interesit nga bankat qendrore konsiderohet pothuajse e pashmangshme. Në Shqipëri, norma bazë e interesit aktualisht qëndron në nivelin 2.5%, ende në një territor stimulues krahasuar me nivelin neutral të vlerësuar rreth 3.5–3.75%.
Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se zhvillimet në Lindjen e Mesme mund të përkthehen në një goditje negative për ekonominë, duke rritur inflacionin dhe njëkohësisht duke frenuar rritjen ekonomike, në mënyrë të ngjashme me efektet pas konfliktit në Ukrainë në vitin 2022.
Inflacioni në vend ka mbetur relativisht i ulët në muajt e fundit, duke shënuar 2.2% në tremujorin e fundit të vitit 2025 dhe 2.4% në fillim të vitit 2026, pranë objektivit prej 3%. Megjithatë, rritja e çmimeve të energjisë mund ta ndryshojë shpejt këtë trend.
Efekt zinxhir në tregjet financiare
Rritja e normave të interesit pritet të transmetohet fillimisht te yield-et e titujve të borxhit qeveritar, të cilat shërbejnë si pikë reference për të gjithë tregun financiar. Një rritje e tyre do të rrisë koston e huamarrjes jo vetëm për qeverinë, por edhe për bizneset dhe individët.
Kjo situatë mund të ndikojë drejtpërdrejt në ngadalësimin e kreditimit, i cili vitet e fundit ka qenë një nga shtyllat kryesore të rritjes ekonomike në vend. Një inflacion më i lartë dhe interesa më të shtrenjta do të ulnin kërkesën për kredi dhe do të rrisnin rrezikun për përkeqësimin e cilësisë së portofolit të huave.
Kursimet dhe investimet nën presion
Një mjedis me inflacion të lartë krijon pasiguri edhe për kursimet e qytetarëve. Nga njëra anë, rritja e çmimeve ul mundësinë për të kursyer, ndërsa nga ana tjetër, normat më të larta të interesit mund të nxisin orientimin drejt instrumenteve më fitimprurëse, si bonot dhe obligacionet qeveritare.
Përvoja e vitit 2022 tregoi se rritja e yield-eve mund të tërheqë investitorët drejt tregut të borxhit, duke larguar fonde nga depozitat bankare apo fondet e investimit.
Sektori bankar dhe rreziqet potenciale
Në afat të shkurtër, rritja e interesave mund të përmirësojë të ardhurat e bankave nga kreditë, por në një horizont më të gjatë rreziqet rriten. Një përkeqësim i aftësisë paguese të huamarrësve dhe rritja e kredive me probleme mund të ndikojnë negativisht në bilancet e tyre.
Megjithatë, sektori bankar në Shqipëri paraqitet aktualisht i qëndrueshëm, me nivele të larta kapitalizimi dhe aftësi për të përballuar goditje të mundshme ekonomike.
Presion mbi kursin e këmbimit
Rritja e çmimeve të importeve, veçanërisht të energjisë, mund të thellojë deficitin tregtar dhe të ushtrojë presion mbi kursin e këmbimit të lekut. Megjithatë, ndikimi final do të varet nga faktorë të tjerë, si ecuria e turizmit dhe investimeve të huaja.
Nëse këta faktorë dobësohen, rreziku për zhvlerësimin e monedhës vendase bëhet më i lartë, duke shtuar më tej presionet inflacioniste në ekonomi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






