

Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin për Azgan Mërnicën, autorin e vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia, duke e dënuar atë me 35 vite burg, në vend të burgimit të përjetshëm të dhënë më parë nga Gjykata e Fierit.
Vendimi ka sjellë reagimin e fortë të familjes së viktimës. Babai i efektivit të ndjerë, Asllan Cenalia, e cilësoi këtë vendim si një “vrasje për herë të dytë”.
Ai u shpreh se vendimi ishte i papritur dhe theksoi se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar atë.
“Vendimi është i papritur për mua si prind. Shpresoj te drejtësia deri në fund. Vendimi është vrasje e dytë për mua. Do ta çojmë çështjen në Gjykatën e Lartë dhe shpresoj që drejtësia të vihet në vend.”
Gjykata e Apelit e Tiranës rrëzoi vendimin e shkallës së parë, duke ulur dënimin për Mërnicën, i cili ishte akuzuar nga Prokuroria për veprat penale “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz, ku pas një konflikti për motive të dobëta, efektivi i policisë Novruz Cenalia u qëllua për vdekje me armë zjarri.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






