Transmetuar më 10-04-2026, 19:14

Shqiptari 45-vjeçar sulmohet me thikë dhe zinxhir para djalit 10-vjeçar, tronditje në Firence të Italisë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e 9 prillit në Firence, ku një 45-vjeçar me origjinë shqiptare u sulmua me mjet prerës dhe zinxhir para djalit të tij 10-vjeçar.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 15:00 në Piazza dei Tigli, në zonën e Isolotto-s. Sipas rindërtimit të parë të autoriteteve italiane, gjithçka nisi pas një debati mes 45-vjeçarit, i cili po lëvizte me makinë së bashku me të birin, dhe tre të rinjve, të përshkruar si 17-18 vjeç me origjinë nga Afrika e Veriut, të cilët dyshohet se kaluan rrugën me vrap.

Situata degjeneroi shpejt në dhunë fizike. Sipas dëshmive në vendngjarje, burri u godit me zinxhir dhe me armë të ftohtë, duke marrë plagë në kokë dhe në krahë. Ai u ndihmua fillimisht nga tregtarët e zonës dhe klientët e një lokali aty pranë, të cilët ndërhynë për t’i ndalur gjakderdhjen, përpara se të mbërrinte ambulanca.

45-vjeçari u mor në kujdes nga shërbimi i urgjencës 118 dhe u dërgua në spital në gjendje të rëndë. Sipas dëshmive të mbledhura nga mediat italiane, ai humbi shumë gjak nga koka, ndërsa në krahë kishte plagë të shkaktuara nga goditjet me thikë.

Një dëshmitare tha se kishte dëgjuar britma dhe, kur ishte afruar te dritarja, kishte parë disa persona duke u përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa në skenë përdoreshin një shkop dhe një zinxhir. Sipas saj, një klient i lokalit tentoi të ndërhynte për t’i ndarë, por u godit edhe ai.

Ngjarja ndodhi para syve të djalit 10-vjeçar të viktimës, i cili sipas personave të pranishëm mbeti i tronditur rëndë nga ajo që pa. Disa dëshmitarë thanë se fëmija kishte thënë se i ati mund të njihte njërin prej tre agresorëve.

Policia italiane, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e tre të rinjve, të cilët pas sulmit u larguan në drejtim të parkut Montagnola. Sipas mediave vendase, ata mund të jenë filmuar edhe në një video që ka nisur të qarkullojë në rrjetet sociale.

Hetuesit po verifikojnë edhe një pistë tjetër: dyshohet se e njëjta treshe, pak para sulmit në Piazza dei Tigli, mund të ketë përfshirë edhe një episod tjetër, ku u janë marrë para dy adoleshentëve 15 dhe 16 vjeç në Piazza Paolo Uccello.

Sipas dëshmisë së njërit prej të rinjve, tre persona iu afruan fillimisht duke kërkuar cigare dhe më pas para. Pasi ai tha se nuk kishte, i kërkuan të tregonte portofolin. Në një portofol ku ndodheshin 6 euro, ata ia morën shumën dhe u larguan, duke i thënë të ikte.

Autoritetet dyshojnë se pas këtij episodi, tre të rinjtë mund të kenë lëvizur drejt Piazza dei Tigli, ku ndodhi edhe sulmi ndaj 45-vjeçarit shqiptar. Banorë të zonës kanë deklaruar se personat e dyshuar janë parë edhe herë të tjera mes Piazza Paolo Uccello, parkut Montagnola dhe Piazza dei Tigli.

Zona ku ndodhi sulmi nuk është e panjohur për episodet e kriminalitetit. Sipas mediave italiane, që në shkurt të vitit 2024 ishte ndërmarrë një peticion nga shoqata “Isolotto Vivo”, ku u mblodhën rreth 400 firma për të kërkuar më shumë siguri në këtë pjesë të qytetit.

Për ngjarjen reagoi edhe këshilltari Andrea Giorgio, i cili e cilësoi rastin si shumë të rëndë dhe të papranueshëm, duke theksuar se bëhet fjalë për një akt dhune që goditi një prind para fëmijës së tij dhe që ka tronditur të gjithë komunitetin. Ai kërkoi identifikimin sa më të shpejtë të autorëve dhe masa konkrete për të përballuar fenomenet e dhunës ku përfshihen gjithnjë e më shpesh të rinjtë.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit