Transmetuar më 10-04-2026, 19:09

I porsalindur gjendet mes substancave të paligjshme dhe mbetjeve, zbardhen detaje tronditëse nga familja

Detaje të rënda kanë dalë në dritë nga rasti i një të porsalinduri të gjetur në kushte të papranueshme në një apartament në zonën Pietralata në Romë, ku fëmija jetonte mes mbetjeve dhe substancave të dyshuara narkotike.

Sipas mediave italiane, babai, 49 vjeç me origjinë rumune, rezulton me precedentë penalë për shpërndarje droge, vjedhje dhe grabitje. Ndërsa nëna, 31 vjeçe, pa precedentë penalë, është nën hetim së bashku me partnerin për një ngjarje të mëparshme të vitit 2025, ku humbi jetën një tjetër fëmijë i tyre.

Fëmija i mëparshëm kishte ndërruar jetë pak ditë pas lindjes, për shkak të komplikacioneve të rënda shëndetësore, pas një lindjeje të kryer në shtëpi pa asistencë mjekësore. Hetimet kanë nxjerrë në pah se familja kishte një qëndrim refuzues ndaj trajtimit mjekësor.

Rasti i fundit u zbulua pasi personeli i spitalit Pertini sinjalizoi autoritetet, pasi nëna kishte lindur aty, por më pas ishte larguar me foshnjën pa u paraqitur më për kontrollet e detyrueshme. Kjo bëri që mjekët të njoftonin shërbimet sociale dhe policinë.

Gjatë kontrollit në banesë, siç shihni foton, efektivët gjetën të porsalindurin të mbuluar me një batanije, në gjendje të dobët fizike, i nënushqyer dhe i rrethuar nga mbetje, myk dhe mure të dëmtuara. Në të njëjtin ambient u zbuluan edhe sasi hashashi dhe marijuane, me një vlerë të përllogaritur nga 60 deri në 70 mijë euro.

Sipas dëshmive të fqinjëve, babai ishte një kundërshtar i bindur i vaksinave dhe kishte qëndrime të forta kundër sistemit shëndetësor. Çifti më herët kishte administruar një dyqan kanabisi, i cili më pas ishte shndërruar në një lloj dyqani bimësh dhe produkte natyrale.

Foshnja u transportua menjëherë në Poliklinikën Umberto I, ku po merr trajtim mjekësor. Autoritetet kanë vendosur ta dërgojnë në një strukturë të specializuar për kujdesin e fëmijëve, ndërsa babai është arrestuar dhe nëna është nën hetim, me ndalim për t’iu afruar të miturit.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë në këtë rast të rëndë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit