Transmetuar më 10-04-2026, 18:16

Zbulohet mbi 1 kg kokainë me vlerë në tregun e zi që nis nga 100 mijë euro. Droga e fortë u gjet në një automjet, në pranga dy të rinj në Itali

Një operacion i zhvilluar nga Karabinierët në provincën e Arezzos ka çuar në ndalimin në flagrancë të dy personave me origjinë shqiptare, të moshës 28 dhe 20 vjeç, të dyshuar për përfshirje në aktivitet të paligjshëm të lidhur me lëndë narkotike.

Ngjarja ka ndodhur në territorin e komunës Monterchi, në zonën e quajtur “Le Ville”, gjatë kontrolleve të zakonshme të ushtruara në rrugët kryesore të qarkut nga efektivët e Kompanisë së Sansepolcros.

Sipas autoriteteve, dy të rinjtë, sapo kanë vënë re praninë e patrullës në një pikë kontrolli, kanë tentuar të ulin shpejtësinë e mjetit për t’u larguar pa rënë në sy, duke ngjallur dyshime te forcat e rendit, të cilat kanë vendosur të ndalojnë automjetin për kontroll.

Gjatë kontrollit të mjetit, shërbimet e Karabinierëve kanë zbuluar dhe sekuestruar mbi një kilogram substancë të dyshuar si kokainë, e fshehur në një nga sediljet e automjetit. Gjithashtu, gjatë kontrollit personal, dy personave iu janë gjetur rreth 1,500 euro para në dorë.

Substanca e dyshuar dhe shuma e parave janë sekuestruar si prova materiale, ndërsa të ndaluarit, pas përfundimit të procedurave përkatëse, janë dërguar në institucionin e paraburgimit në Arezzo, me vendim të autoriteteve gjyqësore.

Ndërkohë, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Arezzos për të përcaktuar origjinën e lëndës së sekuestruar dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit