

Një përplasje e dhunshme mes disa personave ka tronditur paraditen e kësaj të premteje qendrën e qytetit të Trentos në Itali, ku si pasojë një person ka mbetur i plagosur.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 09:15 dhe, sipas informacioneve paraprake, në konflikt janë përfshirë katër persona. Dy prej tyre ndodheshin në një bar duke konsumuar kafe, ndërsa dy të tjerët iu janë afruar në këmbë nga zona e Piazza Fiera.
Situata ka dalë shpejt jashtë kontrollit, duke u kthyer në një përplasje fizike. Dy personat që ndodheshin në lokal janë larguar me vrap në drejtim të një tabakerie në rrugën “Santa Croce”, por janë ndjekur nga dy të tjerët.
Në këtë ambient ka shpërthyer një përballje e dytë edhe më e ashpër, gjatë së cilës janë dëgjuar disa të shtëna me armë. Sipas mediave italiane, dyshohet se është përdorur një pistoletë manovër, ndërsa arma mund të jetë përdorur edhe për goditje fizike.
Si pasojë e konfliktit, një nga personat ka mbetur i plagosur, duke pësuar dëmtime në zonën e shpatullës.
Alarmi është dhënë nga pronarja e tabakerisë dhe nëna e saj, të cilat, të frikësuara nga situata, janë strehuar në pjesën e pasme të ambientit pa pësuar lëndime.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë duke bërë të mundur ndalimin e të katër personave të përfshirë në konflikt. Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për një tentativë grabitjeje, por nga hetimet e mëvonshme ka rezultuar se ngjarja lidhet me një konflikt mes dy shtetasve shqiptarë dhe dy personave me origjinë nga Afrika e Veriut.
Një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e një përplasjeje të mundshme të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike, ndërsa autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






