Transmetuar më 10-04-2026, 17:13

Në një postim në rrjetet sociale, avokati Ermal Yzeiraj ka shpërndarë një reagim të ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili shprehet se diskutimi që po zhvillohet në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë mbi çështjen e paraburgimit, nuk ka asnjë lidhje me të dhe as me ndryshimin e masës së sigurisë për ta liruar nga burgu.

Beqaj shprehet se emri i tij vendoset qëllimisht në media si përfitues nga një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë, por kjo është krejtësisht e pasaktë.

“Një person në paraburgim nuk është ende i dënuar. Për rrjedhojë, juridikisht nuk bëhet fjalë për lirim nga vuajtja e një dënimi, por për shqyrtim të masës së sigurisë. Nëse një i akuzuar, para një vendimi të formës së prerë, qëndron në paraburgim apo nën një masë më të lehtë sigurie, kjo nuk paragjykon fajësinë dhe as vendimin penal përfundimtar ndaj tij. Kjo nuk është lojë fjalësh, por çështje mentaliteti. Pikërisht për këtë arsye duhet ndalur helmimi i opinionit publik me tezën se po lirohen të korruptuarit. Sa i përket rastit tim, unë nuk pres asgjë nga vendimi unifikues që pritet të marrë Gjykata e Lartë, as nga ndonjë vendim tjetër i tillë”, thotë Beqaj.

Ai e mbyll reagimin e tij me fjalët se “duhet të vazhdojë të qëndrojë në burg si dëshmi e suksesit të reformës në drejtësi”.

Deklarata e plotë e Beqaj:

"Asnjë vendim unifikues i Gjykatës së Lartë nuk lidhet me ndryshimin e masës sime të sigurisë.

Të enjten, më 09.04.2026, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë diskutuan çështjen e paraburgimit. Po atë mbrëmje, në emisione televizive prime time, u trajtua e njëjta temë. Në pothuajse të gjitha studiot, për ilustrim, u përdor edhe fotografia ime. Sipas drejtuesve të këtyre emisioneve, vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë po merret edhe për të më liruar mua nga paraburgimi.

Kjo është e pasaktë. Një person në paraburgim nuk është ende i dënuar. Për rrjedhojë, juridikisht nuk bëhet fjalë për lirim nga vuajtja e një dënimi, por për shqyrtim të masës së sigurisë. Nëse një i akuzuar, para një vendimi të formës së prerë, qëndron në paraburgim apo nën një masë më të lehtë sigurie, kjo nuk paragjykon fajësinë dhe as vendimin penal përfundimtar ndaj tij. Kjo nuk është lojë fjalësh, por çështje mentaliteti. Pikërisht për këtë arsye duhet ndalur helmimi i opinionit publik me tezën se po lirohen të korruptuarit.

Sa i përket rastit tim, unë nuk pres asgjë nga vendimi unifikues që pritet të marrë Gjykata e Lartë, as nga ndonjë vendim tjetër i tillë.

Pas 21 muajsh në paraburgim, të martën, më 07.04.2026, gjatë shqyrtimit të kërkesës sime për ndryshimin e masës së sigurisë, organi i akuzës paraqiti kundërshtime që, sipas meje, mbështeteshin vetëm në gënjeshtra. Kur një prokuror, në emër të shtetit, paraqet si argumente gënjeshtra, atëherë asnjë vendim i Gjykatës së Lartë, i Gjykatës Kushtetuese apo i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk mund të shërbejë realisht si pikë referimi.

Gënjeshtra nr.1

Organi i akuzës deklaroi se, gjatë fazës së hetimeve, unë nuk kam kërkuar asnjëherë ndryshimin e masës së sigurisë. Gjyqtarja e seancës paraprake është vënë në dijeni prej meje në seancë se, në seancën gjyqësore të datës 30.12.2024, kur organi i akuzës kërkoi shtyrjen e afatit të hetimeve, mbrojtja ime ligjore kërkoi zëvendësimin e paraburgimit me një masë më të lehtë. Kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtarja e hetimeve paraprake. Ky moment është i pasqyruar si në procesverbal, ashtu edhe në vendimin e gjykatës.

Gënjeshtra nr. 2

Organi i akuzës deklaroi se, për llogari të këtij procedimi penal, unë kam kryer veprime të paligjshme ndërkohë që ndaj meje ekzistonte një tjetër çështje penale. Këtë pretendim e kam kundërshtuar që në tetor 2025, gjatë seancës paraprake. Në procedimin penal nr. 13/2020 (“Sterilizimi”), i lidhur me veprime të kryera në kohën kur kam qenë ministër i Shëndetësisë — detyrë nga e cila jam larguar në mars 2017 — statusi “person nën hetim” më është komunikuar më 17.11.2023, në orën 21:00. Të nesërmen kam dhënë dorëheqjen nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC. Nëse ky pretendim është paraqitur më parë nga organi i akuzës dhe është kundërshtuar prej meje, rikthimi i tij sërish në prill 2026 nga i njëjti prokuror nuk është gjë tjetër veçse gënjeshtër.

Gënjeshtra nr. 3

Organi i akuzës deklaroi se unë duhet të vazhdoj të qëndroj në paraburgim sepse, edhe nga vendi ku ndodhem, paskam kontakte me punonjës të SASPAC. Sipas këtij pretendimi, fakti që gjatë seancës kam sjellë informacion mbi dokumentacionin që ndodhet në arkivën e SASPAC provon se këtë informacion e marr prej tyre.

Ndaj meje është një akuzë për falsifikim. Pasi jam njohur me dosjen hetimore, kam konstatuar se në të nuk ndodhet asnjë dokument origjinal. Në qershor 2025, mbrojtja ime ligjore mori një përgjigje zyrtare nga SASPAC, sipas së cilës organi i akuzës kishte sekuestruar vetëm regjistrat e protokollit dhe asnjë dokument origjinal. Kjo përgjigje zyrtare i është bërë e ditur si gjykatëses, ashtu edhe organit të akuzës gjatë seancës paraprake.

Gënjeshtra nr. 4

Organi i akuzës deklaroi se koha e gjatë e kaluar në paraburgim nuk duhet marrë parasysh, sepse, sipas tij, unë e kam zvarritur me vetëdije procesin gjatë seancës paraprake. E vërteta është se, pas njoftimit të akuzës, na janë vënë në dispozicion 25,000 faqe të dosjes hetimore, të pasistemuara në volume si një fashikull normal hetimor. Në fazën e parë të seancës paraprake konstatuam se mungonin edhe 9,000 faqe të tjera të dosjes hetimore. U desh kohë ti marrim e ti studjojmë. Ndërkohë, në kushtet e paraburgimit, ka qenë e pamundur për mua të njihem normalisht me përmbajtjen elektronike të dosjes hetimore, përfshirë CD-të dhe USB-të.

Sikur të mos mjaftonin këto katër gënjeshtra, organi i akuzës shtoi edhe një tjetër argument të çuditshëm. Sipas tij, unë duhet të vazhdoj të qëndroj në paraburgim sepse, më 28.12.2023, një person tjetër i përfshirë në këtë çështje, gjatë kontrollit të banesës së tij, ka fshirë të dhëna nga një telefon celular.

Besoj se kushdo e kupton se deklarime të tilla, në një seancë për ndryshimin e masës së sigurisë, nuk mund t’i parashikojë, t’i mbulojë apo t’i zgjidhë asnjë vendim unifikues, njësues apo çfarëdo lloj vendimi tjetër.

Prandaj, kushdo le ta heqë merakun se vendimi i Gjykatës së Lartë po merret për t’i ndryshuar masën e sigurisë Ilir Beqajt.

Ilir Beqaj duhet të vazhdojë të qëndrojë në burg si dëshmi e suksesit të reformës në drejtësi."

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit